Zotimi i Komisioneres së Këshillit të Europës për situatën e personave LGBTI në Europë

Dunja Mijatović, Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut publikoi një Koment për të Drejtat e Njeriut mbi manipulimin politik të homofobisë dhe transfobisë me shembuj nga e gjithë Europa.

Komisionerja pohoi sesi puna e zyrës së saj rreth LGBTI-ve tregon se rritja shqetësuese e jotolerancës së personave LGBTI në Europë flet për një shkak kryesor të urrejtjes: “disa politikanë po instrumentalizojnë paragjykimet ekzistuese shoqërore dhe sulmojnë verbalisht personat LGBTI për të arritur objektivat politike për përfitimet e tyre”, që është dëshmuar si mënyrë e përshtatshme për të larguar vëmendjen e publikut nga dështimi i qeverisë për të adresuar çështjet urgjente sociale dhe pabarazinë në rritje.

Ajo është e shqetësuar se gjithnjë më shumë politikanë në tërë Europën po zgjedhin sulme të tilla të papranueshme ndaj personave LGTBI, teksa shohin se këto taktika funksionojnë në vende të tjera, duke përhapur narrativa nga të ashtuquajturat “lëvizje anti-gjinore” të organizuara gjithnjë e më shumë, të financuara mirë të ekstremistëve fetarë dhe organizatave ultra-konservatore “që punojnë për t’i privuar grupet e tjera –kryesisht gratë dhe personat LGBTI – nga të drejtat e tyre”.

Komisionerja bëri thirrje për veprim të menjëhershëm për të ndaluar këtë prirje që kanë ndikim të dëmshëm te personat LGBTI dhe u bëri thirrje shteteve anëtare të marrin masa për të siguruar që politikanët të përmbahen nga komentet nënçmuese dhe të ndërmarrin hapa pozitivë për të nxitur një kulturë të trajtimit të drejtë dhe të barabartë.

“Trajtimi i keq i politikanëve ndaj personave LGBTI është vetëm një simptomë e kundërshtimit dhe sulmit të tyre më të përhapur ndaj të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, tha ajo dhe “sigurimi që të gjithë në shoqëri të gëzojnë [të drejtat e njeriut] është çelësi i kohezionit, shoqëritë paqësore ku të gjithë mund të japin më të mirën e tyre. Nxitja e grupeve të njerëzve kundër njëri-tjetrit krijon tensione, urrejtje dhe dhunë – duke u shërbyer vetëm interesave të ngushta të disa politikanëve të paskrupullt”.

“Europa është në një udhëkryq në mbrojtjen dhe përfshirjen e personave LGBTI. Duke u ngritur për personat LGBTI, ne mbrojmë dinjitetin e barabartë njerëzor të të gjithëve, mbrojmë mirëqenien e shoqërive tona dhe forcën e sistemit tonë të çmuar të të drejtave të njeriut. Vënia në shënjestër, fajësimi ose injorimi i një grupi mund të ndikojë negativisht te të gjithë ne”.

Këtu mund të gjeni komentin e plotë:

https://www.coe.int/en/web/commissioner/-/pride-vs-indignity-political-manipulation-of-homophobia-and-transphobia-in-europe