05 Kor U prezentua raporti i OSBE-së për mangësitë gjyqësore lidhur me procedimin e rasteve të korrupsionit në Bosnjë e Hercegovinë
Misioni i OSBE-së në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), në Bihaq më 21 qershor 2018 u prezentoi përfaqësuesve të gjyqësorit dhe agjencive për sundimin e ligjit vlerësimin e parë të çështjeve që ndikojnë negativisht në cilësinë dhe efikasitetin e përgjigjes gjyqësore ndaj korrupsionit në BeH.
Raporti me titull: “Monitorimi i rasteve gjyqësore të korrupsionit në BeH: Vlerësimi i parë”, bazohet në analizën e 67 rasteve të përfunduara të korrupsionit mes janarit 2010 dhe shtatorit 2017.
Mangësitë kryesore të identifikuara në raport kanë të bëjnë me harmonizimin e pamjaftueshëm të legjislacionit penal, kapacitetin joadekuat të prokurorëve për hartimin e aktakuzave dhe mbledhjen e dëshmive si dhe mospërputhjet për sa i përket intepretimit të ligjit nga ana e gjykatave.
Kryetari i Gjykatës Kantonale në Bihaq, Fata Nadarevic, ka thënë se raporti në thelb i ka nxjerrë në pah mangësitë e ligjeve të rëndësishme që fokusohen në veprat penale të korrupsionit, si dhe dobësitë që janë vërejtur në gjykatat përkatëse, si dhe mangësitë e kodeve të procedurës, të cilat shpesh herë neglizhohen nga profesionistët ligjorë në BeH.
“Raporti ka gjetur se gjyqësori në BeH aktualisht nuk është në gjendje të merret me rastet e korrupsionit. Raporti sugjeron se të akuzuarit në shumë raste janë shpallur të pafajshëm. Por, sikur të ishin mbledhur të gjithë provat gjatë fazës së hetimit për të mbështetur karakterin edhe përshkrimin e veprës penale, gjasat do të ishin të vogla për të patur aq shumë lirime nga aktakuza”, tha Nadarevic.
Raporti u realizua në kuadër të projektit: Vlerësimi i nevojave të përgjigjes gjyqësore ndaj korrupsionit përmes monitorimit të rasteve të veprave penale. Projekti u mbështet nga Departmaneti i Shtetit i SHBA-së, Byroja e Çështjeve të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe e Sundimit të Ligjit.
Raporti është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Misionit të OSBE-së në BeH për të zhvilluar analiza konçize të çështjeve kyçe të cilat ndikojnë në funksionimin e sistemit gjyqësor në Bosnjë e Hercegovinë.
Këtu mund të lexoni raportin e plotë: https://www.osce.org/bs/mission-to-bosnia-and-herzegovina/373207
Referencat nga uebfaqja zyrtare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE)