25 Kor Hetimi i vrasjes së gazetares Anna Politkovskaya nuk arriti të zbulojë se kush e porositi vrasjen
Në rastin Mazepa dhe Të Tjerët kundër Rusisë (parashtresa nr. 15086/07, 17.07.2018) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 2 (e drejta për jetë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Rasti kishte të bënte me hetimet rreth vrasjes së gazetares Anna Politkovskaya në vitin 2006.
Parashtruesja është nëna, motra dhe fëmijët e gazetares së vrarë. Znj. Politkovskaya u qëllua me armë zjarri dhe u vra në ashensor të banesës së saj në Moskë në tetor 2006. Ajo ishte gazetare e njohur hulumtuese e cila mbulonte shkelje të pretenduara të të drejtave të njeriut në Çeçeni gjatë fushatës së dytë kundër rebelëve në këtë rajon. Ajo ishte gjithashtu kritike ndaj politikave të presidentit Vladimir Putin.
Pas hetimit, pesë burra u dënuan për vrasje në maj 2014. Gjykata gjeti se njëri prej personave kishte pranuar një ofertë për vrasje me pagesë nga një person tjetër të cilit nuk i pëlqenin artikujt e znj. Politkovskaya.
Duke u thirrë në Nenin 2 (e drejta për jetë) parashtruesit u ankuan se Shteti nuk kishte kryer hetime efikase në lidhje me vrasjen e znj. Politkovskaya, meqë autoritetet nuk kishin arritur të identifikonin se kush e kishte porositur dhe kush kishte paguar për krimin.
Gjykata theksoi se hetimi kishte sjellë rezultate të prekshme në dënimin e pesë personave drejtpërdrejt përgjegjës për vrasje. Megjithatë, hetimi në lidhje me vrasje të tillë nuk mund të konsiderohej adekuat nëse nuk ishin bërë përpjekje për ta identifikuar personin i cili e kishte porositur krimin dhe kishte paguar për të. Autoritetet e kishin përcjellë një teori në lidhje me iniciuesin e krimit, duke drejtuar gishtin drejt biznismenit tashmë të ndjerë rus që jetonte në Londër, por ata nuk kishin shpjeguar se si kishin arritur deri tek ky përfundim. Autoritetet është dashur të shikojnë edhe mundësitë e tjera, duke përfshirë ato që i kishin sugjeruar parashtruesit. Parashtruesit kishin pretenduar përfshirjen e agjentëve të shërbimit sekret rus apo të administratës së Republikës së Çeçenisë.
Duke qenë se ky rast përfshinte një gazetare hulumtuese, autoritetet gjithashtu është dashur t’i analizonin lidhjet ndërmjet krimit dhe punës së znj. Politkovskaya. Gjykata gjithashtu gjeti se procedurat kishin zgjatur shumë. Andaj, kishte shkelje procedurale të Nenit 2.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.