Të drejtat e prindërve të mundshëm adoptues nuk mund t’i tejkalojnë të drejtat e prindërve biologjikë

Në rastin Antkowiak kundër Polonisë (kërkesa nr. 27025/17) në lidhje me një kundërshtim kujdestarie të një fëmije ndërmjet kërkuesve, të cilët janë prindër të mundshëm adoptues, dhe prindërve biologjikë, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut me shumicë votash e shpalli kërkesën të papranueshme.  

Kërkuesit janë një çift i martuar shtetasish polakë të cilët donin të adoptonin një fëmijë nga K.D, një grua e cila gjatë shtatzanisë pranoi ta japë fëmijën për adoptim. Pas lindjes, kërkuesit inicuan procedura për ta adoptuar fëmijën dhe për t’u hequr prindërve biologjikë të drejtat e tyre prindërore. Ndërkohë, K.D kishte ndryshuar mendjen dhe ishte tërhequr nga pëlqimi për adoptim. Rasti u shqyrtua në dy nivele jurisdiksioni nga prilli i vitit 2011 deri në dhjetor të vitit 2016. Gjatë procedurave gjykatat përkohësisht urdhëruan vendosjen e kontaktit ndërmjet prindërve biologjikë dhe fëmijës. Gjykata rajonale e Poznań konstatoi në fund se ishte në interesin më të mirë të fëmijës të ishte me prindërit e tij biologjikë. Megjithatë, kërkuesit më vonë nisën edhe një varg procedurash të cilat ende janë në proces, duke kërkuar që prindërve biologjikë t’u hiqen të drejtat prindërore dhe të emërohen prindër kujdestarë. Gjykatat lëshuan një urdhër të përkohshëm që fëmija duhet të qëndrojë me çiftin e kërkuesve gjatë kohëzgjatjes së këtyre procedurave.

Çifti u ankua sipas Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) se gjykatat polake kishin vendosur të urdhëronin heqjen e fëmijës nga kujdesi dhe kthimin e tij tek prindërit biologjikë. Vendimi ende duhet zbatuar, derisa të përfundojë ankimi ligjor.

Gjykata gjeti se autoriteteve vendore u ishte dashur të merreshin me një çështje të vështirë e të ndjeshme të gjetjes së barazpeshës ndërmjet interesave të ndeshura në një rast kompleks. Përballë zgjedhjes së komplikuar ndërmjet dy çifteve të cilët u vlerësuan të përshtatshëm ta rrisin fëmijën në procedurat vendore, konsiderata e parë e autoriteteve në vendimet e tyre, siç kërkohet në të drejtën ndërkombëtare, kishte të bënte vazhdimisht me atë që është në interesin më të mirë të fëmijës. Në veçanti, Gjykata Rajonale kishte analizuar me kujdes çështjen, duke barazpeshuar marrëdhënien e ngushtë që fëmija kishte zhvilluar me çiftin e kërkuesve dhe faktin se, duke pasur parasysh moshën e tij të re, nuk ishte tepër vonë për t’i dhënë fëmijës mundësinë të rritet nga familja e tij biologjike. Gjykata gjithashtu konsideroi faktin që gjykatat vendore konsultuan psikologë, pedagogë dhe ekspertë në fushën e edukimit të fëmijëve gjatë marrjes së vendimeve.

Gjykata konstatoi se procedurat ishin të drejta dhe kishin mbrojtur të drejtën e kërkuesve sipas Nenit 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.