Dhuna në familje

Në rastin e N.K. kundër Gjermanisë (nr. 59549/12, 26/07/2018), Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në mënyrë unanime ka gjetur se nuk ka pasur shkelje të Nenit Article 6 §§ 1 dhe 3 (d) të Konventës (E drejta e gjykimit të drejtë dhe e drejta e të akuzuarit të marrë në pyetje apo t’i ketë marrë në pyetje dëshmitarët kundër tij dhe të sigurojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve në emrin e tij sipas kushteve të njëjta si dëshmitarë kundër tij). Parashtruesi, N.K., është shtetas gjerman i cili është në mbajtje. Rasti kishte të bënte me procedurat penale kundër tij lidhur me dhunën në familje.

N.K. u arrestua në shtator të vitit 2009 me dyshimin se ka ushtruar dhunë kundër bashkësshortes së tij dhe u mbajt në paraburgim. Gjykatësi hetues, pa caktuar avokat për parashtruesin, e ka marrë në pyetje bashkëshorten e tij, e cila kishte deklaruar si kishte përjetuar dhunë nga parashtruesi derisa arriti të ikte nga shtëpia dhe të gjente strehë në shtëpinë fqinje. Ajo deklaroi se bashkëshorti i saj në vazhdimësi e ka sulmuar sa ishin të martuar, por sulmet u përshkallëzuan gjatë fundjavës.

Gjatë gjykimit kundër parashtruesit, bashkëshortja refuzoi të jepte dëshmi. Gjykata Rajonale megjithatë u mbështet në dëshminë që ia kishte dhënë gjykatësit hetues për ta dënuar parashtruesin në qershor të vitit 2010 me gjashtë vjet e gjysmë burg.

Gjykata Rajonale gjithashtu u mbështet në deklaratat e një numri dëshmitarësh të ngjarjeve më 2 gusht 2009 si dhe në lëndimet e bashkëshortes së parashtruesit, duke përfshirë deklaratat e këshilltarit në shtëpinë e sigurtë të grave ku u pranua bashkëshortja e parashtruesit; deklaratat e të birit të bashkëshortes së parashtruesit, i cili kishte qenë në shtëpi në dhomën e tij gjatë fundjavës në fjalë; deklaratat e disa fqinjëve të cilët i kishin ndihmuar bashkëshortes së parashtruesit; dhe, të policëve të cilët u paraqitën në vendin e ngjarjes.

Parashtruesi dorëzoi ankesë duke u thirrur në disa pika të ligjit dhe një ankesë kushtetuese, por pa sukses. Duke u thirrur në Nenin 6 §§ 1 dhe 3 (d) (e drejta të sigurojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve), N.K. u ankua se procedurat kundër tij kishin qenë të padrejta sepse as atij as avokatit të tij nuk iu dha e drejta në asnjë fazë të marrin në pyetje bashkëshorten e tij, e cila kishte qenë dëshmitare e vetme direkte e veprës për të cilën ai u gjet fajtor.

Gjykata tha se deklaratat para gjykimit të cilat i dha bashkëshortja e parashtruesit nuk ishin provë e vetme mbi të cilat Gjykata Rajonale e bazoi gjykimin e saj. Kishte edhe prova të tjera të forta të përmendura më lart, mbi bazën e të cilave u dënua parashtruesi. Rrjedhimisht, nuk ka pasur shkelje të Nenit 6 §§ 1 dhe 3 (d) të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.