02 Nën Dënimi për cilësimin e Muhammedit si pedofil ishte në përputhje me Nenin 10
Në rastin E.S. kundër Austrisë (parashtresa nr. 38450/12, 25.10.2018) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Rasti kishte të bënte me dënimin e parashtrueses për shkak të nënçmimit të doktrinave fetare; ajo kishte bërë deklarata që sugjeronin se Muhamedi kishte pasur prirje pedofile.
Në vitin 2009, parashtruesja, shtetase austriake, kishte organizuar dy seminare me titull “Informata themelore për Islamin” ku ajo kishte diskutuar lidhur me martesën ndërmjet Profetit Muhammed dhe vajzës gjashtëvjeçare, e që sipas saj ishte konsumuar kur ajo ishte nëntë vjeç. Ndër të tjera, parashtruesja kishte thënë se Muhammedit “i pëlqente ta bënte me fëmijë” dhe “Si e quajmë këtë, nëse jo pedofili?” Më 2011, Gjykata Penale Rajonale e Vjenës kishte konstatuar se këto deklarata linin të kuptohej se Muhammedi kishte prirje pedofile, dhe e kishte dënuar parashtruesen për nëpërkëmbjen e doktrinave fetare. Ajo u urdhërua të paguante gjobë prej 480 eurove, si dhe kostot e procedimeve. Parashtruesja u ankua, por Gjykata e Apelit e Vjenës e mbështeti vendimin e shkallës së parë, duke konfirmuar konstatimin e kësaj gjykate. Kërkesa për rinisje të procedimeve iu parashtrua Gjykatës Supreme në dhjetor të vitit 2013.
Duke u mbështetur në nenin 10 (liria e shprehjes), Znj. S. u ankua se gjykatat vendore kishin dështuar ta adresonin thelbin e deklaratave në dritën e lirisë së saj të shprehjes.
Gjykata konstatoi se gjykatat vendore e kishin vlerësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse kontekstin e gjerë të deklaratave të parashtrueses si dhe me kujdes e kishin balansuar lirinë e saj të shprehjes me të drejtën e të tjerëve për t’i mbrojtur ndjenjat e tyre fetare. Gjykatat vendore kishin konstatuar se deklaratat e kundështuara i kishin tejkaluar kufijtë e lejuar të një debati objektiv dhe i kishin klasifikuar si sulm abuzues ndaj Profetit të Islamit, që do të mund të prodhonte paragjykime dhe ta kërcënonte paqen fetare. Gjykatat vendore kishin dhënë arsye gjegjëse dhe të mjaftueshme për një vendim të tillë. Në veçanti, ato kishin konstatuar se parashtruesja ishte e vetëdijshme se deklaratat e saj pjesërisht bazoheshin në fakte të pavërteta dhe se kishin mundur të shkaktonin hidhërim te të tjerët. Gjithashtu, ato konstatuan se deklaratat e parashtruesve rreth orientimit seksual të Muhammedit ishin subjektive, dhe se ajo kishte dështuar ta informonte në mënyrë neutrale publikun e saj për sfondin historik të Muhammedit. Synimi legjitim i gjykatave vendore ishte të ruante paqen fetare në Austri. Rrjedhimisht, nuk ka pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut