Dënimi i studentit kinez për vrasje shkeli të drejtën e tij për gjykim të drejtë

Në rastin Zhang kundër Ukrainës (parashtresa nr. 6970/15, 13.11.2018) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Parashtruesi, Yu Zhang, është shtetas kinez, i cili mori pjesë në një përleshje midis katër ukrainasve dhe një grupi studentësh kinezë, më 1 maj 2009. Gjatë përleshjes, një nga ukrainasit u ther dhe vdiq tri ditë më vonë. Parashtruesi u arrestua dhe u akuzua për vrasje të njëjtën ditë.

Kodi i ri i Procedurës Penale (CCP) hyri në fuqi në Ukrainë në nëntor 2012, duke futur ndryshime të mëdha. Deri në atë kohë procedurat kundër parashtruesit tashmë po mbushnin tre vjet e gjysmë. Në anën tjetër, shokët e parashtruesit, të cilët kishin dhënë dëshmitë në favor të mbrojtjes, ishin larguar nga vendi. Duke u bazuar në KPP të reja, gjykatat refuzuan t’i pranonin deklaratat si prova, pasi ato nuk ishin dhënë drejtpërdrej në gjykatë.

Parashtruesi u dënua me 12 vjet burgim. Dënimi i tij u bazua kryesisht në dëshminë e dy ukrainasve të përfshirë në përleshje. Duke u bazuar në Nenin 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë), parashtruesi u ankua se i ishte mohuar gjykim i drejtë.

Gjykata vuri në dukje se rasti kundër parashtruesit ishte ndërtuar mbi deklaratat e miqve të viktimës dhe se gjykatat vendore kishin zgjedhur, pa ndonjë shpjegim, t’u besonin atyre dhe nuk kishin interpretuar ndonjë dyshim në favor të aplikantit. Përveç kësaj, gjykatat, duke u mbështetur në Kodin e ri të Procedurës Penale, kishin përjashtuar dëshminë në favor të z. Zhang e cila ishte dhënë në hetimin para gjykimit nga studentët e tjerë. Në të njëjtën kohë, Gjykata vuri në dukje se ngjarjet në fjalë ishin zhvilluar para se Kodi i ri të kishte hyrë në fuqi, pra se mund të ishte pranuar dëshmia e dëshmitarëve në mungesë.

Gjykatat në të gjitha tre shkallët e juridiksionit kishin dështuar gjithashtu të vlerësonin pikat përkatëse dhe të rëndësishme të z. Zhang rreth gabimeve serioze në dëshminë e dëshmitarit të prokurorisë dhe rreth pretendimit për paligjshmërinë dhe arbitraritetin e përjashtimit të të gjitha dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes nga dosja. Marrë në tërësi, procedimet penale kundër z. Zhang kishin çuar në shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë sipas Nenit 6 § 1 të Konventës. Duke pasur parasysh këtë konstatim, Gjykata nuk kishte nevojë të shqyrtonte veçmas parashtresën e tij lidhur me kohëzgjatjen e procedurës.

Referencat nga uebfaqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut