04 Jan Akesi i komuniteteve jo-shumicë në arsimin parauniveristar në Kosovë
Misioni i OSBE-së në Kosovë publikoi një raport që vlerëson aksesin në arsimin parauniversitar të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë. Raporti ‘’Aksesi i Komuniteteve në Arsimin Parauniversitar në Kosovë’’, mbulon periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2017 dhe trajton ofrimin e arsimit në gjuhën e popullsisë shumicë dhe në gjuhët e komunitetit.
Raporti vlerëson se institucionet në përgjithësi u ofrojnë komuniteteve nivel të përshtatshëm mbështetjeje në aksesin në arsim. Megjithatë, raporti nxjerr përfundimin se ende nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme për ofrimin e arsimit në gjuhën serbe, në përputhje me dispozitat ligjore që ofrojnë bazën për arsimin në këtë gjuhë. Raporti përgëzon mbështetjen e institucioneve për komunitetet për të mundësuar akses më të lehtë në arsim, si p.sh. transporti, bursat dhe orët plotësuese. Kurrikula në gjuhët boshnjake dhe turke tashmë është zhvilluar, megjithëse nevojiten përpjekje shtesë për të përfunduar zbatimin e tyre, dhe gjithashtu vlerësohet prania e një lënde në gjuhën rome me elemente të historisë dhe kulturës.
Por, sfidat mbesin. Sigurimi i teksteve shkollore në gjuhën boshnjake dhe turke mbetet i pabarabartë. Mungesa e transportit të organizuar për nxënësit e komuniteteve jo-shumicë në nivel komunal mbetet ende problem në disa komuna. Një zgjidhje e pranuar nga të dyja palët për arsimin në gjuhën serbe ende nuk ekziston, përveç dispozitave të avancuara të ligjit të Kosovës që sigurojnë një gjë të tillë. Ndërveprimi ndërmjet fëmijëve dhe personelit nga dy sistemet është gjithashtu i kufizuar.
Raporti rekomandon që institucionet të ndërmarrin hapa drejt adresimit të këtyre sfidave gjatë periudhës së ardhshme dhe rritje të angazhimit të tyre në promovimin e dialogut ndërkomunitar në arsim. Kjo mund të arrihet përmes miratimit dhe zbatimit të ‘’Udhëzimeve për promovimin e dialogut ndërkomunitar përmes arsimit’’.
Këtu mund të lexoni raportin e plotë: https://www.osce.org/sr/mission-in-kosovo/406991
Referencat nga faqja zyrtare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë