20 Mar Rasti Bigovic kundër Malit të Zi
Në rastin Bigovic kundër Malit të Zi, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 5 § 1, shkelje të Nenit 5 § 3, dhe shkelje të nenit 3 (që ka të bëjë me kushtet e paraburgimit) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Parashtruesi, Lubo Bigovic, është malazez i cili aktualisht po vuan dënimin prej 30-vitesh në Spuz (Mal të Zi) ndër të tjera edhe për vrasjen e rëndë të një hetuesi policor të rangut të lartë. Rasti kishte të bënte me ankesat e tij lidhur me paraburgimin, duke përfshirë edhe kushtet e këqija dhe kujdesi shëndetësor joadekuat.
- Bigovic u arrestua në shkurt 2006 dhe u vendos në paraburgim për shkak të rrezikut që ai të ikte. Paraburgimi i tij zgjati katër vjet e shtatë muaj për të njëjtën arsye. Pas kësaj, gjykatat konsideruan se lirimi i tij do të shkelte seriozisht rendin dhe qetësinë publike. Gjatë qëndrimit të tij në paraburgim, ai ka vuajtur nga sëmundje të ndryshme, duke përfshirë kolitin, kataraktin, problemet me gjunjët dhe depresionin. Ai pa sukses kërkoi lirimin në shumë raste, kryesisht për arsye shëndetësore, ndërsa u ankua për gjatësinë dhe mungesën e shqyrtimit të paraburgimit të tij si dhe arsyet për këtë, për kujdesin e pamjaftueshëm mjekësor si dhe për kushtet e këqija në paraburgim.
Gjykata nuk gjeti shkelje të nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (“Konventa”) në lidhje me kujdesin mjekësor të parashtruesit në paraburgim, por theksoi se parashtruesi kishte pranuar ndihmë adekuate mjekësore gjatë një periudhe të gjatë kohore.
Kërkesa e parashtruesit lidhur me kushtet e ndalimit të tij u mbështet nga CPT-ja, e cila vërejti në raportin e vitit 2008 “nivelin alarmant të mbingarkesës” në qendrën e paraburgimit në kohën përkatëse, ku qelitë ishin të mbingarkuara edhe me lagështi. Nga ana tjetër, Qeveria nuk dha prova që bien ndesh me ankesën e parashtruesit lidhur me ndalimin e tij ndërmjet 16 shkurtit 2006 dhe 5 gushtit 2009, për të cilat me sa duket nuk ka të dhëna. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata gjeti shkelje të Nenit 3 lidhur me kushtet e paraburgimit.
Gjykata për më tepër konstatoi se ka pasur shkelje të nenit 5 neni 1 të Konventës në lidhje me mungesën e saktësisë sa i përket urdhrave të ndalimit në lidhje me kohëzgjatjen e shtyrjeve dhe periudhat kur kalojnë më shumë se dy muaj pas ngritjes së aktakuzës pa urdhra të ri për zgjatjen e paraburgimit të parashtruesit.
Gjykata më tej konsideroi se, pavarësisht faktit që parashtruesi ishte person relativisht i ri, gjykatat, kur e zgjatën paraburgimin e tij, nuk i morën parasysh rrethanat e tij personale, si karakteri dhe morali i tij, shtëpia, profesioni, pasuria, lidhjet familjare dhe lidhjet me vendin në të cilin ai po ndiqet penalisht. Të gjitha këto janë faktorë në aspektin e të cilëve duhet të vlerësohet rreziku i ikjes. Për më tepër, Gjykata vlerëson se gjykatat vendase nuk kanë bërë vlerësim të shprehur në lidhje me proporcionalitetin e paraburgimit të vazhdueshëm të aplikantit, veçanërisht në dritën e gjendjes së tij shëndetësore dhe kalimit të kohës. Andaj, ka pasur shkelje të Nenit 5 neni 3.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut