05 Pri Ekstradimi i kërkuesit gjeorgjian do të çonte në shkelje të Nenit 3 për shkak të dënimit të mundshëm me rrahje
Në rastin G.S. kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 36538/17) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se do të kishte shkelje të Nenit 3 (ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nëse kërkuesi do të ekstradohej në Iran për shkak të dënimit të mundshëm që e priste atje.
Kërkuesi, z. G.S. është shtetas i Gjeorgjisë i cili aktualisht po mbahet në burgun e Sofies në pritje të ekstradimit për shkak të akuzave për vjedhje. Ai u arrestua në aeroportin e Sofies në bazë të fletarrestit të Interpolit.
Në Prill 2017 Gjykata e Sofies kishte lejuar kërkesën për ekstradim duke konstatuar se ajo përmbushte të gjitha kërkesat formale dhe gjeti se autoritetet iraniane e kishin siguruar se kërkuesi nuk do t’i nënshtrohej torturës apo trajtimit çnjerëzor. Ekstradimi megjithatë ishte pezulluar në maj të vitit 2017 në bazë të një mase të përkohshme të lëshuar nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeirut sipas Rregullit 39 të Gjykatës, që i kërkonte qeverisë bullgare që kërkuesi të mos ekstradohej derisa vazhdonin procedurat.
Duke u bazuar në Nenin 3, z. G.S. pretendoi se autoritetet bullgare nuk e kishin vlerësuar rrezikun nga keqtrajtimi nëse do të ekstradohej në Iran, edhe pse dihej mirë se dënimi për vjedhje në atë vend ishte deri në 74 goditje me kamzhik.
Gjykata gjeti në veçanti se gjykatat bullgare thjesht kishin besuar se dënimi i vetëm i kërkuesit në Iran do të ishte burgimi. Por, vepra për të cilin ai akuzohej, pra vjedhja, gjithashtu dënohej me rrahje me kamzhik. Në të vërtetë, ekzistonte rreziku që ai të dënohej deri në 74 goditje, duke u nisur nga raportet ndërkombëtare dhe informata të tjera që tregojnë se rrahja me kamzhik ishte e zakonshme në Iran, dhe konsiderohej nga autoritetet iraniane si formë legjitime e dënimit. Për më tepër, ndryshe nga autoritetet bullgare, Gjykata kishte dyshime të fuqishme sa i përket sigurimit kundër torturës që autoritetet iraniane u kishin dhënë gjykatave. Prandaj, Gjykata konstatoi se ishte e qartë që vendimi për ekstradimin e kërkuesit në Iran, nëse zbatohej, do të përbënte shkelje të Nenit 3 të Konventës duke u nisur nga dënimi i mundshëm me rrahje që e priste atje.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut