Shkelja e së drejtës së pronës për shkak të mungesës së të drejtës për kompensim

Në rastin Kaynar dhe të tjerët kundër Turqisë (kërkesat nr. 21104/06, 51103/06 dhe 18809/07, 07.05.2019), Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 1 të Protokollit nr. 1 (mbrojtja e pronës) dhe Nenit 6 (e drejta për proces të rregullt gjyqësor brenda një kohe të arsyeshme) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me procedurat civile që kishin të bënin me kërkesat në lidhje me pronësinë e tokës së blerë nga kërkuesit dhe që klasifikohej si “lokacion natyror”, pronësia e të cilit ishte e paregjistruar. Kërkuesit blenë tokë në ishullin Gökçeada. Në vitin 1996 toka u regjistrua në emër të Thesarit, pas një rishikimi kadastral. Po atë vit, kërkuesit iu drejtuan Gjykatës së tokës të ishullit Gökçeada duke kërkuar regjistrimin e tokës në emrat e tyre, në përputhje me rregullat mbi posedimin e kundërt. Në vitin 2004, gjykatat vendore vendosën të regjistrojnë tokën në emër të Thesarit në bazë të një ligji të ri, i cili hyri në fuqi gjatë procedurave në fjalë. Toka e klasifikuar si “lokacion natyror” nuk mund të merrej më me posedim të kundërt. Si rrjedhojë, kërkesa u hodh poshtë dhe kërkuesit nuk morën asnjë kompensim.

Gjykata konstatoi në veçanti se ndryshimi i legjislacionit i kishte privuar kërkuesit nga mundësia e regjistrimit të tokës së tyre, edhe pse ata mund të kishin pritur të përmbushnin në mënyrë legjitime të gjitha kërkesat për t’u njohur si pronarë. Gjykata gjithashtu konstatoi se kërkuesit, të cilët nuk kishin marrë asnjë kompensim për humbjen e pronës, si pasojë duhej të bartnin mbi vete një barrë individuale dhe të tepruar.

Gjykata gjithashtu gjeti që legjislacioni vendor tani lejonte dëmshpërblim për një shkelje të tillë. Një ankesë në bordin e kompensimit, mandati i të cilit ishte shtrirë në vitin 2019 me urdhëresën presidenciale nr. 809, tani u mundësonte kërkuesve të marrin kompensim. 

Duke marrë parasysh se kjo ankesë do të përbënte masë të përshtatshme për të korrigjuar shkeljen e Nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës, Gjykata vendosi të shfuqizojë pjesën e kërkesës që ka të bëjë me Nenin 41 të Konventës (kënaqshmëria e drejtë). 

Gjykata gjithashtu gjeti se kohëzgjatja e procedurës (rreth 10 vjet), në kontekstin e kërkesave të parashtruara nga dy kërkues, nuk e përmbushte obligimin për një kohë të arsyeshme. Andaj, Gjykata gjeti shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për proces të rregullt gjyqësor brenda një kohe të arsyeshme) dhe u dha kërkuesve kënaqshmëri të drejtë për dëmet e tyre jomateriale. 

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut