Shkelje e të drejtës së të burgosurve për arsim për shkak të refuzimit të autoriteteve për t’iu lejuar qasje në kompjuter dhe internet

Në rastin Mehmet Reşit Arslan dhe Orhan Bingöl kundër Turqisë (kërkesa nr. 47121/06, 18.06.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 e drejta për në arsim) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me të drejtën për arsim të dy të burgosurve të dënuar. Duke qenë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe duke dashur ta vazhdojnë arsimin e lartë, të cilin e kishin ndërmarrë për shkak të dënimit, kërkuesit kishin kërkuar nga autoritetet e burgut t’u lejonin të përdorin kompjuter dhe t’i qasen internetit. Kërkesa e tyre u refuzua. Ata u ankuan në gjykatë, por pa sukses. 

Gjykata përsëriti se rëndësinë e edukimit në burg e mori parasysh Komiteti i Ministrave në rekomandimin e tij për arsim në burg, dhe në pajtim me Rregullat Europiane të Burgut. 

Gjykata gjithashtu gjeti se autoritetet vendore ishin bazuar në arsye të ndryshme për të arsyetuar refuzimin e kërkesave të tyre. Kërkesa e dorëzuar nga z. Arslan ishte refuzuar në bazë të mendimit të autoriteteve të burgut se ai mbante lidhje me të burgosurit e tjerë që ishin pjesëtarë të së njëjtës organizatë ilegale dhe se nuk ishin regjistruar në asnjë trajnim. As z. Bingöl nuk ishte regjistruar në ndonjë trajnim dhe ai i ishte nënshtruar masave disiplinore në shumë raste.

Gjykata vlerësoi se gjykatat vendore nuk kishin bërë asnjë analizë të hollësishme të rreziqeve të sigurisë. Përveç kësaj, ata nuk i kishin vlerësuar sa duhet interesat e ndryshme, dhe prandaj kishin dështuar në detyrën e tyre për të parandaluar ndonjë keqpërdorim të detyrës nga administrata. Në këto rrethana, Gjykata nuk ishte bindur me dëshmitë e ofruara për të arsyetuar refuzonin e autoriteteve sa i përket kërkesës së z. Arslan dhe z. Bingöl për të përdorur materiale audiovizuale dhe kompjuterë dhe për të pasur qasje në internet. Gjykati nxori përfundimin se gjykatat vendore kishin dështuar të gjenin barazpeshë të duhur ndërmjet të drejtës së kërkuesve për arsim sipas Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 në njërën anë dhe elementeve të rendit publik në anën tjetër. Gjykata gjeti se ka pasur shkelje të atij Neni në rastin e të dy kërkuesve.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut