11 Kor Detyrimi i shtetit sipas Nenit 2 për të mbrojtur jetën e anëtarëve të familjes kundër babait të dhunshëm
Në rastin Kurt kundër Austrisë (kërkesa nr. 62903/15, 04/07/2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 2 (e drejta për jetë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me vrasjen e djalit të kërkueses nga babai pas pretendimeve të mëparshme për dhunë në familje nga kërkuesja kundër babait. Kërkuesja, Senay Kurt, është shtetase austriake e cila ishte e martuar me E. Ata kishin dy fëmijë, A., të lindur në 2004, dhe B., të lindur në 2005.
Në korrik 2010 znj. Kurt e thirri policinë sepse burri i saj e kishte rrahur. Ajo thoshte se ai e kishte rrahur me vite të tëra dhe se kohët e fundit situata ishte përkeqësuar. Policia vuri në dukje se kërkuesja kishte shenja të lëndimeve. Një urdhër ndalimi (Betretungsverbot und Wegweisung zum Schutz vor Gewalt) u lëshua kundër E. Në janar 2011 Gjykata Penale Rajonale në Graz e dënoi E për lëndime trupore dhe sjellje të rrezikshme kërcënuese. Deri në maj të vitit 2012 nuk u raportuan incidente të mëtejshme në polici. Në maj 2012 znj Kurt shkoi në Gjykatën e Qarkut në St. Pölten dhe paraqiti kërkesë për divorc. Po atë ditë, ajo e denoncoi bashkëshortin e saj në polici për dhunim dhe kërcënime të rrezikshme. Ajo shtoi se ai e kishte rrahur vazhdimisht, nganjëherë edhe fëmijët. Polici lëshoi urdhër ndalimi ndaj E, i cili vullnetarisht u përcoll nga policia për në stacion.
Më 25 maj 2012 E. shkoi te shkolla e A. dhe B. Kërkoi nga mësuesja e A. nëse mund të bisedonte privatisht me të birin. Mësuesja, e cila më vonë deklaroi se nuk ishte informuar për problemet në familje, u pajtua. Kur A. nuk u kthye në klasë, ajo nisi ta kërkonte. Ajo e gjeti në bodrumin e shkollës, ku ishte qëlluar me plumb në kokë. Motra e tij B., e cila ishte dëshmitare e vrasjes, nuk ishte lënduar. Menjëherë u lëshua urdhërarrest për E. dhe policia nisi hetimet por E. u gjet i vrarë në veturë po atë ditë, pasi kreu vetëvrasje.
Gjykata vlerësoi nëse, në bazë të informacioneve në dispozicion në atë kohë, autoritetet duhet të kishin ditur se E. paraqiste rrezik të vëretë dhe të pashmagshëm për jetën e fëmijës jashtë vendeve ku aplikohej urdhëri i ndalesës, e që mund të ishte parandaluar vetëm me paraburgimin e tij.
Gjykata gjeti se nuk kishte indikacione se bashkëshorti i znj. Kurt madje kishte armë, apo se kishte provuar të gjente armë. Në kontaktet e tij me policinë, ai gjithmonë ishte bashkëpunues. Andaj, autoriteteve vendore nuk kishin pasur arsye të besonin se kishte rrezik specifik për jetën përmes përdorimit të armës. Gjykata gjithashtu vërejti se vetë kërkuesja nuk dukej se ishte e vetëdijshme për rrezikun e madh që mund të vinte nga bashkëshorti i saj sa i përket fëmijëve të tyre. Ajo e dinte se mund të siguronte urdhër ndalese të përkohshme nga gjykata kompetente sipas seksionit 382b apo seksionit 382e të Ligjit të Përmbarimit, dhe se një urdhër sipas seksionit të dytë mund ta ndalonte E. nga vendet publike jashtë zonave të banimit. Fakti se ajo nuk bëri një kërkesë të tillë pas dhunës së bashkëshortit të saj tregon se ajo vetë nuk shihte nevojë të menjëhershme për diçka të tillë.
Në bazë të këtyre rrethanave, autoritetet vendore kanë mundur të përfundojnë se ndonjë masë tjetër pos urdhërit të ndalesës që ishte lëshuar kundër tij, siç është paraburgimi, nuk garantohej sipas rrethanave për të cilat ato ishin të vetëdijshme. Kështu, ata përmbushën detyrimet e tyre pozitive sipas Nenit 2.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut