18 Sht Heqja e autoritetit prindëror ka sjellë shkelje të Nenit 8 të Konventës
Në rastin Strand Lobben dhe të tjerë kundër Norvegjisë (kërkesa nr. 37283/13, 10.09.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkuesit janë T. Strand Lobben dhe djali i saj, X. Rasti kishte të bënte me vendimin e autoriteteve vendore për të hequr autoritetin prindëror të një nëne dhe për tu mundësuar prindërve adoptues ta birësonin djalin e saj. Kur lindi X, znj. Strand Lobben i ishte drejtuar autoriteteve të mirëqenies së fëmijëve për udhëzime dhe kishte pranuar një ofertë për të qëndruar në një qendër familjare për vlerësim gjatë muajve të parë të jetës së fëmijës. Megjithatë, një muaj pas lindjes ajo vendosi të linte qendrën. Autoritetet e morën fëmijën në kujdes të menjëhershëm të detyrueshëm dhe e vendosën atë në një shtëpi kujdesi në baza urgjente pasi stafi i qendrës kishte shqetësime nëse foshnja kishte marrë ushqim të mjaftueshëm për të mbijetuar. Në vitin 2011 bordi i Mirëqenies Sociale të Qarkut, i përbërë nga një jurist, një psikolog dhe një qytetar i thjeshtë, vendosi të heqë autoritetin prindëror të nënës dhe të autorizojë birësimin e djalit.
Gjykata konstatoi në mënyrë të veçantë se arsyeja kryesore për veprimet e autoriteteve ishte paaftësia e nënës për tu kujdesur siç duhet për djalin e saj, veçanërisht duke pasur parasysh nevojat e tij të veçanta si fëmijë vulnerabël. Sidoqoftë, ky arsyetim ishte bazuar në prova të kufizuara pasi seancat e kontaktit midis nënës dhe djalit pas vendosjes së tij në kujdestari kishin qenë të pakta dhe në distanca kohore të gjata.
Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk ishte kërkuar asnjë raport i ri për të ekzaminuar aftësinë e nënës biologjike për të siguruar kujdesin për X, përveç faktit se ndërkohë ajo ishte martuar dhe kishte një fëmijë tjetër. Në marrjen e vendimeve të tyre, gjykatat kishin shqyrtuar provat e ofruara nga dy psikologë që ishin angazhuar si ekspertë, dhe përpiluan raporte gjatë procedurave paraprake për kujdestarinë në vitin 2010. Por, ata ekspertë që nga atëherë, nuk kishin kryer asnjë ekzaminim tjetër. Vetëm njëri nga ato raporte ishte bazuar në vëzhgimin aktual të seancave të kontaktit, vetëm në dy raste.
Për më tepër, vlerësimi i cënueshmërisë së tij nuk përmbante pothuajse asnjë analizë dhe asnjë shpjegim se si ai mund të vazhdonte të ishte i rrezikuar, pavarësisht se ishte nën kujdes që prej kohës kur ishte tre-javësh. Në përgjithësi, autoritetet vendore nuk kishin arritur të bënin një balancim të mirëfilltë midis interesave të fëmijës dhe familjes së tij biologjike, ose të merrnin parasysh zhvillimet në jetën familjare të nënës. Prandaj, ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës sa i përket të dy kërkuesve.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut