Gjuha homofobike e urrejtjes në rrjetet sociale

Në rastin Beizaras dhe Levickas kundër Letonisë (kërkesa nr. 41288/15, 14.01.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit), së bashku me Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare), si dhe shkelje të Nenit 13 (e drejta për mjet efektiv) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti ngriti pyetje në lidhje me përgjegjësinë e Shtetit për të mbrojtur individët nga gjuha homofobike e urrejtjes. Kërkuesit janë dy të rinj që janë në lidhje. Njëri prej kërkuesve postoi një fotografi të tyre duke u puthur në faqen e tij në Facebook, gjë që çoi në qindra komente të urrejtjes në internet. Disa kishin të bënin me personat LGBT në përgjithësi, ndërsa komentet e tjera i kërcënonin kërkuesit. Si autoritetet e ndjekjes ashtu edhe gjykatat nuk pranuan të nisin hetim për nxitje të urrejtjes dhe dhunës ndaj homoseksualëve, duke konstatuar se sjellja e çiftit kishte qenë provokuese dhe se komentet, edhe pse “joetike”, nuk meritonin ndjekje penale. 

Gjykata e kishte të qartë se komentet në faqen e Z. Beizaras në Facebook kishin ndikuar në mirëqenien psikologjike dhe dinjitetin e kërkuesve, duke e çuar çështjen brenda fushëveprimit të Nenit 8 dhe për rrjedhimisht edhe të Nenit 14.

Qeveria mohoi se kërkuesit ishin diskriminuar, duke argumentuar se vendimet e autoriteteve vendore për të mos filluar hetim penal nuk kishin asnjë lidhje me orientimin e tyre seksual. Qeveria pretendonte në veçanti se vendimet ishin bazuar në sjelljen e kërkuesve, të cilat kishin qenë provokuese, për shkak të një kryqi të endur në bluzën e kërkuesit të dytë dhe për faktin se komentet në fjalë nuk kishin arritur shkallë të caktuar për t’u konsideruar penale.

Gjykata konstatoi në veçanti se orientimi seksual i kërkuesve kishte luajtur rol në mënyrën se si ata ishin trajtuar nga autoritetet, të cilat kishin shprehur mjaft mospranim ndaj tyre, duke demonstruar publikisht homoseksualitetin e tyre me rastin e refuzimit të fillimit të hetim paraprak. Një qëndrim i tillë diskriminues nënkuptonte se kërkuesit nuk ishin mbrojtur – siç ishte e drejta e tyre sipas ligjit penal – nga thirrjet e dukshme për sulm mbi integritetin e tyre fizik dhe mendor.

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se ka pasur një shkelje të Nenit 14, të marrë në lidhje me Nenin 8 të Konventës.

Gjykata konstatoi se praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme të Letonisë, e aplikuar nga prokurori, vendimi i të cilit atëherë ishte mbështetur nga gjykatat vendase, nuk kishte parashikuar mjet efektiv të brendshëm për ankesat e diskriminimit homofobik. Në veçanti, Gjykata vuri në dukje me shqetësim se praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme theksonte “sjelljen ekscentrike” të personave që i përkisnin pakicave seksuale dhe detyrën e tyre “të respektonin pikëpamjet dhe traditat e të tjerëve” kur ushtrojnë të drejtat e tyre. Prandaj, Gjykata konstatoi se kishte pasur edhe shkelje të Nenit 13 të Konventës sepse kërkuesve u ishte refuzuar mjet efektiv vendor për ankesat e tyre për cënim të jetës së tyre private për shkak të diskriminimit si rrjedhojë e orientimit të tyre seksual.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut