Ruajtja e të dhënave të përdoruesve të SIM kartelave me parapagim nga kompanitë e telekomunikacionit është në pajtim me Konventën

Në rastin Breyer kundër Gjermanisë (kërkesa nr. 50001/12) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me ruajtjen e të dhënave të SIM kartelave me parapagim nga ana e kompanive të telekomunikacionit. Në përputhje me ndryshimet e Ligjit të Telekomunikacionit të vitit 2004, kompanitë duhej të grumbullonin dhe të ruanin detajet personale të të gjithë klientëve të tyre, duke përfshirë përdoruesit e SIM kartelave me parapagim, gjë që nuk ishte kërkuar më parë. Kërkuesit, aktivistët e lirive civile dhe kritikët e mbikëqyrjes së shtetit, ishin përdorues të kartave të tilla dhe për këtë arsye u është dashur t’u japin ofruesve të shërbimeve të dhënat e tyre personale, siç janë numrat e telefonit, data e lindjes dhe emri dhe adresa e tyre. Në vitin 2005 ata parashtruan një ankesë kushtetuese kundër seksioneve të ndryshme të Ligjit, duke përfshirë Nenet 111, 112 dhe 113. Këto dispozita, për aq sa janë të rëndësishme në rastin konkret, mbulonin detyrimin për të mbledhur të dhënat dhe që autoritetet t’u qaseshin atyre të dhënave automatikisht dhe sipas kërkesës. Me 24 Janar 2012 Gjykata Kushtetuese Federale konstatoi se dispozitat në fjalë ishin në përputhje me Ligjin Themelor, si proporcionale dhe të justifikuara.

Gjykata konstatoi në mënyrë të veçantë se mbledhja e emrave dhe adresave të kërkuesve si përdorues të kartelave me parapagim përbënte ndërhyrje të kufizuar në të drejtat e tyre. Megjithatë, Gjykata konstatoi se dispozitat ligjore ishin të qarta dhe të parashikueshme. Për më tepër, ndërhyrja kishte ndjekur qëllimet legjitime të sigurisë publike, parandalimin e çrregullimit ose krimit dhe mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. 

Gjykata vlerësoi gjithashtu proporcionalitetin e ndërhyrjes nga dispozitat për qasjen në të dhëna. Gjykata vuri re se procedura e automatizuar sipas Nenit 112 e kishte bërë shumë të thjeshtë marrjen e të dhënave, por konstatoi se fakti që autoritetet mund të kërkonin qasje ishin të specifikuara në veçanti në Nenin 112. Për më tepër, Neni 113 mbi procedurën e kërkesave me shkrim për të dhëna, nuk jepte emrat e saktë të organeve, por jepte funksionet e tyre, që Gjykata i konsideroi si mjaft të qarta për të parashikuar se cilat organe mund të kërkonin informacione. Të dy dispozitat siguronin mbrojtje të mëtejshme kundër kërkesave abuzive.

Ajo thoshte se ligji në fjalë kishte masa mbrojtëse shtesë ndërsa njerëzit gjithashtu mund të drejtoheshin pranë organeve të pavarura të mbikëqyrjes së të dhënave për të shqyrtuar kërkesat e të dhënave të autoriteteve dhe për të kërkuar kompensim ligjor nëse është e nevojshme. 

Në përgjithësi, Gjermania nuk kishte kapërcyer kufijtë e gjykimit të saj (“marzhi i vlerësimit”) në zbatimin e ligjit në fjalë dhe nuk kishte asnjë shkelje të të drejtave të kërkuesve nga mbledhja e të dhënave.  

Referencat nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut