Ngacmimi në internet si formë e dhunës në familje

Në rastin Buturugă kundër Rumanisë (kërkesa nr. 56867/15, 10.02.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) dhe Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare dhe për korrespondencë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të dështimit të Shtetit të përmbushë obligimet e tij pozitive sipas këtyre dispozitave.

Rasti kishte të bënte me pretendime për dhunë në familje dhe shkelje të konfidencialitetit të korrespodencës elektronike nga ish burri i kërkueses, znj Buturugă, e cila u ankua për mangësi në sistemin e mbrojtjes së viktimave të këtij lloji të dhunës.

Duke u mbështetur, në veçanti, në Nenin 3 (ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose degradues) dhe Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare dhe korrespondencës), znj Buturugă u ankua për joefektivitetin e hetimit penal ndaj dhunës në familje të cilën ajo pretendon se e ka përjetuar. Ajo gjithashtu u ankua se siguria e saj personale nuk ishte siguruar në mënyrë të duhur, dhe kritikoi refuzimin e autoriteteve për të shqyrtuar ankesën e saj në lidhje me shkeljen e konfidencialitetit nga ana e ish-bashkëshortit të saj.

Gjykata konstatoi në mënyrë të veçantë se autoritetet vendore nuk e kishin adresuar hetimin penal si ngritje të çështjes specifike të dhunës në familje, dhe se ata nuk kishin arritur të siguronin një përgjigje të përshtatshme për seriozitetin e fakteve të paraqitura nga znj. Buturugă. 

Hetimi i akteve të dhunës kishte qenë i mangët, dhe nuk ishin marrë parasysh meritat e ankesës në lidhje me shkeljen e konfidencialitetit të korrespodencës, e cila ishte e lidhur ngushtë me ankesën për dhunë. Me atë rast Gjykata theksoi se ngacmimi në internet aktualisht shihet si një aspekt i dhunës ndaj grave dhe vajzave, dhe se mund të merrte shumëllojshmëri të formave, duke përfshirë shkeljet e privatësisë, ndërhyrjet në kompjuterin e viktimës dhe kapjen, shpërndarjen dhe manipulimin e të dhënave dhe fotografive, përfshirë të dhënat private.  Megjithatë, në çështjen në fjalë gjykatat vendore vendosën që ankesa e znj. Buturugă në lidhje me shkeljen e pretenduar të konfidencialitetit të korrespondencës së saj nuk kishte lidhje me çështjen e e kësaj lënde, dhe se të dhënat e publikuara në rrjetet sociale ishin publike. Pretendimet e tilla kërkonin që autoritetet të bëjnë një ekzaminim mbi bazueshmërinë në mënyrë që të përfshihet fenomeni i dhunës në familje në të gjitha format e tij.

Kësisoji, Gjykata konkludoi se pretendimet e kërkueses se ish-burri i saj kishte përgjuar, konsultuar dhe ruajtur në mënyrë të padrejtë komunikimet e saj elektronike nuk ishin ekzaminuar në bazë të meritës nga autoritetet vendore. Autoritetet nuk kishin miratuar masa procedurale për të mbledhur prova për të gjetur vërtetësinë e fakteve ose klasifikimin e tyre ligjor. Andaj, autoritetet kishin qenë tepër formalistë për të hedhur poshtë çdo lidhje me dhunën në familje të cilën znj. Buturugă e kishte raportuar tashmë, dhe kështu nuk kishin arritur të marrin parasysh format e shumta që kishte marrë dhuna në familje. Prandaj shteti kishte dështuar në detyrimet e tij pozitive sipas Neneve 3 dhe 8 të Konventës, duke bërë që Gjykata të gjente shkelje të këtyre dispozitave.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut