06 Maj Heqja e të drejtës për personat e paaftë mendërisht në përputhje me kërkesat e Konventës
Në rastin Caamaño Valle kundër Spanjës (kërkesa nr. 43564/17, 11.05.2021) Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut me gjashtë vota pro dhe një kundër ka gjetur se nuk ka pasur shkelje të Nenit 3 të Protokollit Nr. 1 (e drejta për zgjedhje të lira) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe asnjë shkelje e Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit) të lexuar në lidhje me Nenin 3 të Protokollit Nr. 1 ose të Nenit 1 të Protokollit Nr. 12 (ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit).
Rasti kishte të bënte me heqjen e të drejtës së votës së vajzës së kërkueses, M., e cila ishte me aftësi të kufizuara mendore. Pak para ditëlindjes së tetëmbëdhjetë të M., kërkuesja kërkoi që kujdestaria e saj mbi vajzën e saj të zgjerohej. Megjithatë, ajo kërkoi specifikisht që vajza e saj të mos privohet nga e drejta e votës. Por, kur u urdhërua zgjerimi i kujdestarisë së saj, Gjykatësi i Shkallës së Parë urdhëroi që M. t’i hiqet e drejta për të votuar, duke vlerësuar se ajo nuk ishte në gjendje ta ushtronte atë të drejtë.
Gjykata përsëriti se Neni 3 i Protokollit Nr. 1 garantonte të drejtat individuale, përfshirë të drejtën për të votuar, megjithëse Shtetet kishin diskrecion të kufizuar në këtë fushë. Çfarëdo kushti i imponuar duhej të ishte “shprehja e lirë e njerëzve në zgjedhjen e tyre të legjislaturës”.
Gjykata deklaroi se qëllimi i “sigurimit që vetëm qytetarët e aftë të vlerësojnë pasojat e vendimeve të tyre dhe të marrin vendime të vetëdijshme dhe të arsyeshme duhet të marrin pjesë në punët publike” ishte legjitim. Ajo ishte e kënaqur që ky kishte qenë qëllimi në vendimin për heqjen e të drejtës së M.
Në dritën e gjykimeve të gjykatave vendore në disa nivele juridiksioni, Gjykata ishte gjithashtu e kënaqur që autoritetet kishin ekuilibruar interesat në fjalë dhe i kishin bazuar gjykimet e tyre në mungesën personale të M. për të kuptuar domethënien e votës dhe ndjeshmërinë e saj për t’u ndikuar. Kësioji, heqja e të drejtës së saj kishte qenë proporcionale.
Tutje, Gjykata ishte e kënaqur që heqja e të drejtës së vajzës së ankueses nuk pengoi shprehjen e lirë të mendimit të njerëzve. Andaj, nuk kishte pasur shkelje të Konventës në këtë drejtim.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut