10 Sht Martesa e parë mes gjinisë së njëjtë në Mal të Zi
Martesa e parë e të njëjtës gjini në Mal të Zi u regjistrua më 25.07.2021 në vendpushimin bregdetar të Budvës, një vit pasi Mali i Zi u bë vendi i parë jashtë BE-së në Ballkan që legalizoi partneritetet civile të së njëjtës gjini.
Zyrtarja komunale në Budva, Milijana Vukotic Jelusic, tha se martesa ishte midis dy grave të reja, të dyja nga jashtë, por me origjinë malazeze.
Në korrik 2020, parlamenti në Malin e Zi votoi për legalizimin e partneriteteve civile të së njëjtës gjini me një shumicë shumë të ngushtë deputetësh. Ndryshimi u mbështet nga vetëm 42 deputetë në dhomën prej 81 vendesh. Sipas ligjit, qeveria kishte afat deri më 15 korrik të këtij viti për të harmonizuar kuadrin ligjor me ligjin e ri sipas të cilit çiftet e së njëjtës gjini mund të hyjnë në bashkim ligjor në zyrën e tyre të regjistrimit civil.
Ligji gjithashtu lejon rregullimin e mbështetjes reciproke financiare dhe ndarjen e pronës së përbashkët në rast divorci. Ligji u garanton personave në një partneritet civil të së njëjtës gjini të drejtën për sigurim shoqëror dhe mbulim shëndetësor bazuar në partnerin e tyre dhe rregullon vizitat familjare në spitale ose burgje. Ligji nuk garanton të drejtën e adoptimit ose birësimit të fëmijëve.
Ministrja e Administratës Publike, Shoqërisë Digjitale dhe Mediave, Tamara Srzentic e quajti martesën e parë të së njëjtës gjini hap historik. “Edhe pse ligji u miratua një vit më parë, duhet bërë shumë më tepër për të përmbushur të gjitha parakushtet për zbatimin e tij të plotë. Komuniteti LGBTIQ do të ketë gjithmonë një aleat tek unë për të gjitha aktivitetet që kontribojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre”, tha Srzentic.
Përkundër këtyre fjalëve mbështetëse, homoseksualiteti mbetet çështje e ndjeshme në vendin ku ende dominon konservatorizmi shoqëror, siç ndodh tjetërkund në Ballkan. Sondazhet e mëparshme tregonin se 71 për qind e qytetarëve në Mal të Zi e shihnin homoseksualitetin si sëmundje dhe se çdo qytetar i dytë e shihte atë si rrezik për shoqërinë.
Referencat nga faqja zyrtare e Balkan Insight