06 Dhj Opinioni i Komisioneres së Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut për zhvillimet në Bosnje dhe Hercegovinë
Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatoviq, kishte paralajmëruar në opinionin e saj të 18 nëntorit 2021, se luftënxitja është intensifikuar seriozisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se disa politikanë, duke përfshirë ata në vendet fqinje, Serbi e Kroaci, po e përforcojnë retorikën e tyre nxitëse, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar përpiqet të gjejë një përgjigje ndaj përshkallëzimit të tensioneve.
Komisionerja vuri në dukje se vendet anëtare të Këshillit të Europës nuk duhet të nënvlerësojnë rreziqet e kësaj situate. “Tani është koha për të dëshmuar unitet për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Bosnje dhe Hercegovinë. Tani është koha për të punuar në shpërshkallëzimin e tensioneve duke shfrytëzuar më mirë mjetet e dialogut, bashkëpunimit dhe koordinimit shumëpalësh që ofrojnë organizatat ndërkombëtare”, shtoi ajo.
Komisionerja përmendi katër hapa urgjentë që duheshin ndërmarrë:
Së pari, kushtetuta e Bosnjes dhe Hercegovinës dhe ligji i zgjedhjeve duhet të zhvishen nga natyra e tyre diskriminuese dhe të bëhen gjithëpërfshirëse. Dymbëdhjetë vjet më parë, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi në vendimin Sejdiq dhe Finci se kushtetuta e vendit dhe sistemi zgjedhor i bazuar në përkatësinë etnike ishin diskriminuese.
Së dyti, gjuha e urrejtjes, mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës duhet të ndalen. Në vend të nxitjes së luftës dhe përhapjes së propagandës përçarëse, politikanët në BeH dhe në rajon duhet të punojnë drejt përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe sigurimit që të drejtat e të gjithëve mbrohen në mënyrë të barabartë. Shoqëria civile dhe veprimet e saj të guximshme për të vënë në dukje problemet duhet të mbrohen e jo të shtypen.
Së treti, përmirësimi i cilësisë së jetës dhe tejkalimi i pabarazive, të cilat janë përkeqësuar gjatë pandemisë COVID-19 duhet të trajtohen si çështje urgjente. Në këtë drejtim, duhet të bëhen më shumë përpjekje për reformat institucionale dhe ekonomike, duke përfshirë mundësimin e punës së pavarur dhe efektive të organeve gjyqësore, si dhe luftimin e korrupsionit dhe efekteve të dëmshme të tij në gëzimin e të drejtave të njeriut.
Së fundmi, mediat duhet të luajnë rol pozitiv duke raportuar në mënyrë etike dhe duke shmangur shndërrimin në një vegël të makinerisë luftarake të orkestruar mirë, siç ka ndodhur në të kaluarën. Media e lirë është shtyllë e demokracisë, për të siguruar llogaridhënie, për të ekspozuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe për të parandaluar nxitjen e urrejtjes dhe dhunës.
Këtu mund të gjeni Opinionin e plotë të Komisioneres: https://www.coe.int/en/web/commissioner/-/op-ed-de-escalate-bosnia-and-herzegovina-before-it-is-too-late
Referencat nga faqja zyrtare e Këshillit të Europës