Kufizimet automatike i të drejtave të votimit të personave të vendosur nën kujdestari të pjesshme nuk janë në përputhje me Konventën

Në rastin Anatoliy Marinov kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 26081/17, 15.02.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me të drejtat e votës të z. Marinov, të cilat ai nuk ishte në gjendje t’i ushtronte gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017<x1 në Bullgari. equi E drejta e tij për të votuar ishte hequr automatikisht, në përputhje me Kushtetutën, kur ai ishte vendosur nën kujdestari të pjesshme për shkak të problemeve psikiatrike në vitin 2000.

Gjykata vuri në dukje se thelbi i ankesës së kërkuesit nuk ishte se ai ishte privuar nga kapaciteti i tij juridik, por se si i tillë, atij i ishte ndaluar pjesëmarrja në çfarëdo forme zgjedhore në vendin e tij. Sipas pikëpamjes së Qeverisë, heqja e të drejtave të votimit të personave nën kujdestari siguronte që vetëm personat e aftë për të marrë vendime të informuara dhe domethënëse mund të merrnin pjesë në zgjedhjen e legjislaturës së vendit. Qeveria konsideroi se situata individuale e secilit person u vlerësua nga gjykatat vendore brenda rrjedhës së procedurës për ta vendosur atë person nën kujdestari.

Gjykata ishte e kënaqur që kishte një qëllim të ligjshëm për masën. Megjithatë, ajo vuri në pah se kufizimi nuk bënte dallimin midis atyre nën kujdestari totale dhe atyre nën kujdestari të pjesshme. Për më tepër, nuk kishte asgjë për të treguar se legjislatura bullgare ndonjëherë kishte kërkuar të peshonte interesat në fjalë apo për të vlerësuar proporcionalitetin e kufizimit kushtetues dhe kështu t’u hapte rrugë gjykatave të analizojnë kapacitetin e një personi për të ushtruar të drejtën e votës, pavarësisht vendimit për ta vendosur atë person nën kujdestari. Dukej, për më tepër, se një mundësi e tillë nuk do të ishte në përputhje me kornizën ligjore vendore.

Marinov kishte humbur të drejtën e tij për të votuar për shkak të një kufizimi automatik mbi të drejtën e votës për personat nën kujdestari të pjesshme, pa ndonjë vlerësim gjyqësor individual të aftësisë së tij për të votuar. Gjykata përsëriti se një trajtim i tillë kuturu i të gjithë atyre që kanë probleme intelektuale apo psikike ishte i kontestueshëm, dhe kufizimi i të drejtave të tyre duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të rreptë.


Prandaj Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi pa dallim i të drejtave të votës të z. Marinov – pa shqyrtim gjyqësor individual dhe vetëm në bazë të faktit se paaftësia e tij mendore nënkuptonte se ai ishte vendosur nën kujdestari të pjesshme – nuk mund të konsiderohej proporcionale me qëllimin legjitim për kufizimin e të drejtës së votës. Andaj, kishte pasur shkelje të Nenit 3 të Protokollit Nr. 1 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut