18 Mar Ndërmarrjet në privatizim nuk gëzojnë “pavarësi të mjaftueshme nga shteti” për t’u përjashtuar nga përgjegjësia sipas Konventës
Në rastin Mastilović dhe të tjerët kundër Malit të Zi (kërkesa nr. 28754/10, 24.02.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut gjeti shkelje të Nenit 6 në lidhje me 19 kërkuesit.
Kërkuesit ishin 25 shtetas të Bosnjës e Hercegovinës të lindur mes viteve 1948 dhe 1976, dhe jetonin në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe Kanadë. Në 11 shtator 1994 kërkuesit ishin pasagjerë në një autobus të drejtuar nga një kompani “në pronësi shoqërore” (društveno preduzeće). Autobuzi u përfshi në një aksident në të cilin kërkuesit pësuan dëmtime të ndryshme. Pasagjerëve të lënduar iu dha kompensim në procedimet civile kundër kompanisë shtetërore malazeze të autobuzëve mes viteve 1996 dhe 2005. Rasti ka të bëjë me moszbatimin e gjykimeve të mëvonshme dhe ujdive të miratuara nga gjykata në favor të kërkuesve kundër ndërmarrjes me pronësi kryesisht shtetërore, e cila që atëhere kishte bankrotuar. Vendimet përkatëse të nxjerra në favor të kërkuesve mbeten të pazbatuara deri më sot për shkak të procedurave të paaftësisë së kompanisë për të shlyer borxhet, e cila po kalon tranzicionin nga një ekonomi e planifikuar në një ekonomi tregu.
Kërkuesit u ankuan sipas Nenit 6 (e drejta për seancë të drejtë brenda një afati të arsyeshëm) dhe Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit) të Konventës Europiane në lidhje me moszbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe ujdive të miratuara nga gjykata kundër ndërmarrjes në fjalë.
Gjykata vuri në dukje se vendimet gjyqësore dhe ujditë e miratuara nga gjykata në lidhje me kërkuesit e mësipërm mbeten të pazbatuara deri më sot. Gjykata ka konstatuar shpesh shkelje të Nenit 6 të Konventës dhe/ose Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës në rastet që ngrenë çështje të ngjashme me ato në rastin aktual, veçanërisht në rastet që kanë të bëjnë me ndërmarrjet që janë në proces ristrukturimi, privatizimi dhe/ose forma të tjera të kalimit nga një ekonomi e planifikuar në një ekonomi tregu. Ndërmarrjet e tilla, pavarësisht faktit se janë subjekte juridike të veçanta, nuk gëzojnë “pavarësi të mjaftueshme institucionale dhe operacionale nga shteti” për t’u liruar nga përgjegjësia e tyre sipas Konventës (shih Mijanović kundër Malit të Zi, nr. 19580/06, §§ 61-68).
Pasi shqyrtoi të gjithë materialin e paraqitur, Gjykata vlerësoi se qeveria nuk ka paraqitur asnjë fakt apo argument të duhur për ta bindur atë për të arritur në një përfundim më ndryshe në rastin konkret. Andaj, ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut