23 Gus Peshkopi serb mallkoi popullsinë LBGT
Një peshkop ortodoks serb është kritikuar për deklaratën se ngjarja e ardhshme e Krenarisë së Evropës në Beograd do të “përdhosë” Beogradin, duke shtuar se ai do të dëshironte të merrte armë për ta ndaluar atë.
Drejtorja e Programit të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR, Sofija Todorovic, tha se fjalimi i Peshkopit Nikanor rreth mallkimit të organizatorëve dhe pjesëmarrësve në Euro Pride dhe përdorimi i armëve kundër tyre ishte një “kërcënim i drejtpërdrejtë” për një grup të tërë njerëzish. “Edhe një herë, jemi dëshmitarë se peshkopët dhe krerët e kishës po merren me gjëra që nuk janë brenda autoritetit të tyre, por në një mënyrë që kërcënojnë drejtpërdrejt një grup të caktuar, në të cilin ka ndoshta një numër më të madh, mes të tjerëve, edhe të besimtarëve”, tha Todorovic për BIRN-in.
Drejtori i Civil Right Defenders Europe, Goran Miletic, i tha gazetës Kurir se deklarata “përfaqëson gjuhën e hapur të urrejtjes ndaj komunitetit LGBT, por gjithashtu ndaj kroatëve dhe Kryeministres [gej] të Serbisë”.
Në një video të publikuar në YouTube të enjten, peshkopi Nikanor shihet duke qëndruar përpara një kishe dhe duke iu drejtuar disa besimtarëve. Ai tha se pjesëmarrësit e Euro Prideit “do të vijnë në Beograd dhe do të mburren dhe përdhosin qytetin e Beogradit, qytetin e shenjtë serb”, dhe se “ne ngremë zërin kundër të tillëve [njerëzve]”. “Do t’i mallkoj të gjithë ata që organizojnë dhe marrin pjesë në diçka të tillë”, shtoi Nikanor. “Kaq mund të bëj. Po të kisha armë, do ta përdorja, do ta përdorja atë forcë po ta kisha, por nuk e kam”, shtoi ai.
Peshkopi Nikanor ofendoi gjithashtu kryeministren serbe Ana Brnabic, e cila është haptazi gej dhe anëtarët e familjes së të cilës kanë lindur në Kroaci.
Euro Pride është një ngjarje mbarëeuropiane LGBT e organizuar në qytete të ndryshme europiane çdo vit. Këtë herë ai do të mbahet në Beograd nga 12 deri në 18 shtator.
Referencat nga faqja zyrtare e BIRN-it