Ankesë kushtetuese individuale në Shqipëri

Në rastin Fullani kundër Shqipërisë (kërkesa nr. 4586/18, 13.10.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka shpallur njëzëri kërkesën të papranueshme. 

Rasti kishte të bënte me vendimin e Kuvendit në vitin 2014 për të shkarkuar z. Fullani nga detyra e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Shqipërisë pas arrestimit të tij me dyshimin e shpërdorimit të detyrës. Ai më pas u lirua. Ai ndërmori veprim ligjor për të kundërshtuar shkarkimin e tij dhe gjykatat në thelb vendosën në favor të tij, por e kundërshtuan kërkesën e tij për kompensim shtesë dhe rikthim.

Duke u mbështetur në Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private), z. Fullani u ankua se gjykatat vendore, megjithëse e konsideronin shkarkimin e tij të paligjshëm, nuk kishin pranuar ta rikthenin në detyrë ose  t’i jepnin kompensim shtesë për dëmtimin e reputacionit të tij.

Gjykata përsëriti se Shteteve nuk kishin nevojë t’i përgjigjeshin një organi ndërkombëtar nëse nuk u ishte dhënë mundësia për t’i vënë gjërat në vend nëpërmjet sistemit të tyre ligjor. Ata që donin të paraqisnin ankesa kundër një Shteti ishin të detyruar kësisoji të përdornin së pari mjetet e parashikuara nga sistemi ligjor vendor. 

Gjykata vuri re se z. Fullani nuk ka paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se kjo nuk i ishte kërkuar pasi, ndër të tjera, nuk ka pasur të drejtë kushtetuese për rikthim në detyrë apo për kompensim. Gjykata nuk u pajtua me këtë. Pas reformës gjyqësore në Shqipëri në vitin 2016 dhe ndryshimeve në Kushtetutë, ankesa kushtetuese individuale nuk ishte më e kufizuar në ankesat sipas Nenit 6 (e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës dhe ishte, në parim, mjet efektiv në lidhje me pretendimet për çdo shkelje të të drejtave të mbrojtura nga Konventa dhe Protokollet e saj që ishin ratifikuar nga Shqipëria. 

Prandaj, ky mjet duhet të përdoret nga kërkuesit, përfshirë z. Fullani, para se të paraqesë një kërkesë në Gjykatën Europiane. Për më tepër, ndryshimet në Kushtetutë kishin hyrë në fuqi 17 muaj përpara se z. Fullani të paraqiste kërkesën e tij në Gjykatën Europiane, dhe gjatë kësaj periudhe Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë një vendim që kishte të bënte me pretendimet që hynin në fushëveprimtarinë e Nenit 8 të Konventës. Dy vendime të tjera të ngjashme pasuan në vitin 2021. Së këndejmi, kërkesa e z. Fullani duhej të refuzohej sipas Nenit 35 §§ 1 dhe 4 (kërkesa individuale) të Konventës për mosezaurimin e mjeteve juridike vendore.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut