“Anulohet” Europride në Beograd: Kufizimet e së drejtës së lirisë së tubimit

Qeveria serbe duhet të shfuqizojë menjëherë ndalimin e ngjarjeve të EuroPride të planifikuara të mbahen në Beograd në shtator 2022, deklaroi Human Rights Watch më 1 shtator 2022. Autoritetet duhet të punojnë me organizatorët për të ofruar sigurinë adekuate për pjesëmarrësit.

Më 27, gusht, Presidenti Aleksandar Vuçiq njoftoi se qeveria po e anulon EuroPride-in, ngjarjen rajonale që promovon barazinë për personat lezbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) që Serbia ishte gati të organizonte nga 12 deri më 18 shtator, me një marshim më 17 shtator. Presidenti e pranoi se kjo lëvizje përbënte “shkelje të të drejtave të pakicave”, por e arsyetoi vendimin me kërcënimet që vinin nga grupet e djathta për ta penguar ngjarjen dhe për të rritur tensionet me Kosovën. Kryeministrja Ana Bërnabiq, lezbike që është gruaja e parë që mban postin e tillë, e mbështeti anulimin, duke thënë se “gjëja e parë e pacënueshme është të sigurohet paqja dhe stabiliteti në vend”.

Njoftimi i qeverisë erdhi pas një proteste nga mijëra persona më 27 gusht në Beograd që kundërshtonin ngjarjet e Europride-it, me sllogane si “shpëtoni fëmijët tanë dhe familjen tonë”. “Vendimi i qeverisë serbe për të anuluar EuroPride-in është dorëzim i turpshëm dhe sanksionim implicit i fanatizmit dhe kërcënimeve të dhunës së paligjshme”, tha Graeme Rid, drejtoreshë e programit të të drejtave LGBT në Human Rights Watch. “Protestat në rrugë nga grupet e ekstremit të djathtë dhe instancat fetare janë zhvilluar edhe më parë. Tani Serbia e ka për obligim të ofrojë edhe sigurinë dhe dinjitetin për pjesëmarrësit e EuroPride-it”.

Organizatorët kanë treguar se nuk kanë marrë njoftimin zyrtar për ndalim dhe kanë ndërmend ta mbajnë ngjarjen siç është planifikuar. “Presidenti Vuçiq nuk mund të anulojë ngjarjen e dikujt tjetër”, tha Kristine Garina, presidente e Shoqatës Europiane të Organizatorëve të Pride-it. Pas ndalimit të ngjarjeve të Pride-it në vitet 2011 dhe 2013, Qeveria Serbe ka lejuar parada në Beograd që nga viti 2014, të cilat kanë qenë paqësore. Gjykata Kushtetuese e Serbisë tashmë i kishte shfuqizuar vendimet e tilla. 

Justifikimi i autoriteteve serbe për anulimin e EuroPride-it 2022 ka ngjashmëri të madhe me argumentet e Rusisë për ndalimin e marshimeve nga personat LGBT me arsyetimin se ato mund të çojnë në përleshje të dhunshme me kundërprotestuesit. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e hodhi poshtë këtë argument në Alekseyev kundër Rusisë në vitin 2010 si shkelje e të drejtës për tubim paqësor.

Referencat nga faqja zyrtare e Human Rights Watch