Artikulli i gazetës mbi borxhet e ish-tenistit nuk përbënë shkelje të Konventës

Në rastin Ţiriac kundër Rumanisë (kërkesa nr. 51107/16, 30.11.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut gjeti, njëzëri, se nuk kishte pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta e respektimit të jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me një artikull të dyshuar për shpifje rreth kërkuesit dhe procedimeve gjyqësore që pasuan. Kërkuesi, Ioan Țiriac, është shtetas rumun i lindur në vitin 1939 dhe jeton në Monte Karlo (Monako). Ai është ish-tenist dhe president i Komitetit Olimpik Rumun dhe mendohet të jetë një nga njerëzit më të pasur në Rumani. Në vitin 2010 një gazetar i gazetës kombëtare Financiarul botoi një artikull me titull “Pesëmbëdhjetë multimilionerë dhe borxhet e tyre prej çerek miliardi lei ndaj shtetit – Receta për sukses biznesi garantohet kur bizneset financohen nga fondet publike ose kur nuk paguhen taksat”. Artikulli kishte të bënte me borxhin ndaj shtetit nga 15 njerëzit më të pasur, pronarët e kompanive në Rumani dhe artikulli i vuri ata në një listë të “borxhlive më të mëdhenj” me fotografitë e tyre (duke përfshirë kërkuesin), pasurinë e vlerësuar dhe borxhin e tyre.

Ndërsa artikulli kishte të bënte me veprimtaritë dhe praktikat e biznesit të disa prej rumunëve më të pasur dhe efektin e tyre në sistemin e mbledhjes së taksave publike, artikulli si i tillë përbënte interes publik. Gjykata u pajtua me gjykatat vendore se artikulli nuk kishte prekur jetën private të kërkuesit por aktivitetet e tij profesionale, dhe nuk kishte të bënte vetëm me të. Gjykata vuri në dukje gjetjet e gjykatave vendore se artikulli nuk kishte qenë fyes dhe se përmbajtja kishte qenë kombinim i gjykimeve të vlefshme dhe deklarimeve të faktit, të cilat, duke pasur parasysh tërë përmbajtjen dhe mesazhin e artikullit, kishin mbështetje faktike. Gjykata vendosi se nuk kishte pasur qëllim të keq nga ana e gazetarit apo ndonjë pasojë të dallueshme për jetën e kërkuesit.

Në dritën e kësaj, Gjykata konsideroi se gjykatat vendore kishin balancuar të drejtat konkurruese në fjalë me kriteret e vendosura të praktikës gjyqësore të Gjykatës. Andaj, nuk kishte pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut