Autoritetet nuk kanë hetuar për motive të mundshme raciste në gjuajtjen me armë ndaj një familjeje Rome nga një polic

Në rastin Lakatošová dhe Lakatoš kundër Sllovakisë (kërkesa nr. 655/16, 11.12.2018) Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit), së bashku me Nenin 2 (e drejta për jetë), të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me gjuajtjen me breshëri me armë në vitin 2012 nga një polic jashtë detyre drejt një shtëpie të një familjeje Rome. Dy parashtruesit në këtë rast, çift i martuar, u plagosën rëndë dhe tre anëtarë të tjerë u vranë.

Kur u mor në pyetje nga policia, polici deklaroi se kishte kërkuar “zgjidhje radikale” për “trajtimin” e Romëve. Në fund iu dha një dënim i zbutur prej 9 vitesh burg për shkak të përgjegjësisë së zvogëluar. Vendimi u mor në formën e gjykimit të thjeshtuar që nuk përmbante arsyetim ligjor.

Gjykata gjeti se në këtë rast kishte pasur informacione të besueshme për t’ua tërhequr vëmendjen autoriteteve për nevojën e kryerjes së një hetimi për motive të mundshme raciste. Gjykata vërejti se dhuna raciste ishte fyerje e madhe e dinjitetit njerëzor dhe kërkonte vigjilencë të shtuar dhe reagim të rreptë nga autoritetet. Megjithatë, autoritetet nuk kishin arritur t’i merrnin parasysh treguesit e qartë të racizmit në këtë rasti, siç ishte frustrimi i policit me paaftësinë e tij për të zgjidhur çështjet e rendit publik që lidhen me Romët, siç sugjerohet në vlerësimin e tij psikologjik. Përveç kësaj, polici nuk ishte akuzuar për krim me motive racore dhe prokurori nuk kishte adresuar ose nuk kishte shqyrtuar aspak faktorin e mundshëm rëndues të një motivi racist në aktakuzën e tij. Për më tepër, gjykatat në asnjë mënyrë nuk kishin arritur të zgjidhnin shtrirjen e kufizuar të hetimit dhe ndjekjes penale, dhe gjykimi i thjeshtuar në këtë rast nuk përmbante ndonjë arsyetim ligjor për të adresuar këtë mangësi. Duke qenë se autoritetet nuk kanë arritur të shqyrtonin nëse sulmi ishte apo nuk ishte me motive racore, Gjykata konstatoi shkelje të Nenit 14 bashkë me Nenin 2.

Referencat nga uebfaqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut