Autoritetet policore vepruan në mënyrë të ligjshme me të dhënat elektronike dhe i mundësuan kërkuesit të drejtën e mbrojtjes

Në rastin Rook kundër Gjermanisë (kërkesa nr. 1586/15, 25/07/2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë) dhe shkelje të Nenit 6 § 3 (e drejta për kohën e duhur dhe mjetet për përgatitjen e mbrojtjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me korrektësinë e procedurave penale ku ishin prodhuar rreth 80,000 njësi të të dhënave të mbikëqyrjes telekomunikuese dhe ishin sekuestruar 14 milionë skedarë elektronikë. 

Kërkuesi, Michael Rook, është shtetas gjerman që ishte menaxher i lartë dhe drejtor menaxhues i një dyqani të madh të pajisjeve elektronike me pakicë në Gjermani dhe vendet e tjera të Evropës. Në shkurt 2011 zyra e prokurorit në Augsburg nisi hetim penal kundër z. Rook për marrjen e ryshfetit në aktivitetin afarist. Gjatë hetimit ishte realizuar mbikëqyrje e gjerë telekomunikuese. Rreth 44,970 telefonata dhe rreth 34,000 të dhënash të tjera ishin ruajtur. Gjatë bastisjes së shtëpisë së z. Rook dhe të objekteve të tjera ishin sekuestruar rreth 14 milionë skedarë me të dhëna.  

Në dhjetor 2012 Gjykata Rajonale e rëndoi me 63 akuza për marrje ryshfeti në veprimtarinë afariste, dhe e dënoi me pesë vjet dhe tre muaj burgim.

Në shkurt 2014 Gjykata Federale e Drejtësisë e hodhi poshtë aktgjykimin e Gjykatës Rajonale në lidhje me tre akuza ryshfeti në aktivitetin afarist, por hodhi poshtë ankesën e mëtejshme të z. Rook si të pabazuar. Në qershor 2014 Gjykata Kushtetuese Federale refuzoi të pranojë ankesën e tij kushtetuese.

Duke u mbështetur në nenin 6 § 1 dhe 3 (b) (e drejta për gjykim të drejtë dhe e drejta për kohën e duhur dhe mjete për përgatitjen e mbrojtjes), z. Rook u ankua se gjatë procedurës penale kundër tij atij dhe mbrojtësit të tij nuk u ishte lejuar qasje të mjaftueshme dhe e përshtatshme në skedarët audio, mesazhet tekstuale dhe skedarët elektronikë që autoritetet kishin sekuestruar gjatë hetimit.

Gjykata vërejti se gjatë gjithë procedurave autoritetet i kishin lejuar avokatit të z. Rook qasje në dosjen e hetimit dhe i kishin dhënë një përmbledhje gjithëpërfshirëse të akuzave dhe provave. Autoritetet gjithashtu i kishin përditësuar ato skedarë gjatë gjithë kohës. Z. Rook nuk pretendonte se të dhënat, skedarët ose dokumentet që ishin pjesë e kësaj dosjeje nuk i ishin përcjellur avokatit të tij me kohë që t’i mundësonin të njihej me to para ose gjatë gjykimit.

Gjykata vërejti se autoritetet kishin vendosur të lejonin zbulimin e të dhënave të mbikëqyrjes telekomunikuese në tërësinë e tyre dhe se avokati i z. Rook kishte pasur mundësinë t’i shqyrtonte ato fillimisht në ambientet e policisë, dhe më vonë edhe në burg. Për më tepër, z. Rook kurrë nuk kishte saktësuar në çfarë mënyre të veçantë kufizimet në fjalë kishin ndërhyrë në aftësinë e tij për t’u mbrojtur. Argumenti i qeverisë se të dhënat nuk mund të ekzaminohen pa ndonjë zyrtar policor të pranishëm për të mbrojtur të drejtat e atyre bisedat e të cilëve mund të ishin regjistruar, dukej i arsyeshëm.

Gjykata e konsideroi si të mjaftueshme kohën që ai e kishte në dispozicion, nga shtatori 2012, në ditën kur ai ishte pajisur me një CD të pakodifikuar, deri në dhjetor 2012, në ditën e dorëzimit të aktgjykimit, që është tre muaj e gjysmë, për të analizuar skedarët dhe për të identifikuar ato që ai i konsideronte të rëndësishme. Vetë fakti se proceset gjyqësore tashmë kishin filluar nuk e kishin bërë kohën e përgatitjes të pamjaftueshme. Gjykata konkludoi se z. Rook kishte pasur kohë të mjaftueshme për t’u njohur me skedarët elektronikë. Prandaj, nuk ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 së bashku me Nenin 6 § 3 (b).

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut