29 Nën Buletini mbi praktikat e fundit të GJEDNJ-së që synon t’u japë kontribut juristëve nga Ballkani Perëndimor
Buletini mbi “Zhvillimet më të fundit në rastet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut mbi Lirinë e Shprehjes” përbën një mjet unik për ndarjen e informatave mbi prirjet dhe zhvillimet e reja në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ, Gjykata), dhe në të njëjtën kohë, kontribon në përmirësimin e mëtejshëm të njohurive në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave të profesionistëve juridikë nga Ballkani Perëndimor dhe më gjerë.
I botuar në kuadër të programit të përbashkët të Horizontal Facility Programme II të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, ky Bulletin analizon periudhën shkurt-korrik 2021 në të cilën Gjykata ka dhënë një numër të konsiderueshëm gjykimesh relevante mbi lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve. Këto gjykime kanë të bëjnë me fusha të ndryshme të Nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në gjykimet e përzgjedhura të elaboruara në këtë Buletin, Gjykata shtjellon aspektet më të gjera të lirisë së shprehjes, me fokus në shtrirjen e fushëveprimit të Nenit 10 për të mbuluar protestat paqësore të arteve performuese, si manifestim i fjalës politike; reklamimin i cili kontribon në debat publik në lidhje me çështjet me interes të përgjithshëm dhe mund të konsiderohet në kundërshtim me moralin publik dhe vlerat fetare; dhe kufizimet e lirisë së shprehjes online, kur ajo kthehet në gjuhë fyese të urrejtjes dhe nxitje të dhunës.
Kur është fjala për lirinë e mediave, rastet e paraqitura merren me përgjegjësitë e gazetarëve në ushtrimin e profesionit të tyre kur kryejnë veprimtari të mbledhjes së lajmeve; qasjen në informata për çështje me interes publik dhe në dokumente zyrtare; mbrojtjen e burimeve në lidhje me përdorimin e teknologjive të mbikqyrjes dhe në operacionet e mbikëqyrjes masive në veçanti; si dhe përfshirjen e mediave në fushatat elektorale online.
Rastet e përzgjedhura kanë vënë në pah detyrimin e Shteteve ndaj Konventës për të ruajtur standardet e Konventës në përputhje me parimin e subsidiaritetit, ndërsa në disa raste autoriteteve u kërkohet të kontribojnë në zbatimin vendor të Konventës duke marrë masa të përgjithshme për të forcuar kuadrin ekzistues legjislativ dhe për të çuar përpara praktikat e tyre administrative dhe gjyqësore, me qëllim të parandalimit të shkeljeve të ngjashme të lirisë së shprehjes në të ardhmen.
Buletini është në dispozicion në gjuhën angleze, shqipe, boshnjake, maqedonase, malazeze dhe serbe dhe është përgatitur në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës “Horizontal Facility for the Western Balkans and Turkey 2019-2022” dhe veprimit të tij rajonal “Freedom of expression and freedom of the media in South-East Europe (JUFREX)”.
Këtu mund të lexoni më shumë: https://www.coe.int/fr/web/pristina/-/latest-developments-in-the-case-law-of-the-european-court-of-human-rights-on-freedom-of-expression-in-bulletin-no-3
Referencat nga faqja zyrtare e Këshillit të Europës