Burgimi i përjetshëm në përputhje me Nenin 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut

Në rastin Dardanskis kundër Letonisë (kërkesa nr. 74452/13 dhe 15 kërkesa të tjera, 11.07.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur t’i heqë këto kërkesa nga lista e rasteve të saj. 

Rasti kishte të bënte me ankesat e kërkuesve për shkak se burgimi i tyre i përjetshëm përbënte trajtimin çnjerëzor dhe degradues pasi ata nuk kishin shpresë se do të liroheshin. 

Kërkuesit janë 16 shtetas të Letonisë të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe po e vuajnë dënimin e tyre. Në Mars 2019 u bënë ndryshime legjislative në lidhje me burgimin e përjetshëm në legjislacionin e Letonisë, duke lejuar që dënimi me burgim të përjetshëm të ndryshohet me një dënim me afat të caktuar dhe i burgosuri në fjalë të lirohet me kusht. Legjislacioni gjithashtu përcaktonte procedurën që do të përdoret për t’i ndryshuar dënimet, si dhe kriteret që duhet të plotësojë i burgosuri me burg të përjetshëm për t’u kualifikuar për një gjë të tillë.

Duke u mbështetur në nenin 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues), të gjithë kërkuesit u ankuan se, në kohën që ata kishin parashtruar kërkesat e tyre, legjislacioni i Letonisë nuk ishte ndryshuar për të qenë në harmoni me praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane për burgimin e përjetshëm.

Duke iu referuar ndryshimeve të bëra në legjislacion në mars 2019, Gjykata së pari theksoi se zvogëlimi i një dënimi me burgim të përjetshëm bëhej me vendim gjykate, të cilat Gjykata i konsideroi të kënaqshme. Së dyti, Gjykata vërejti se situata e një të burgosuri të përjetshëm mund të rishikohej jo më parë se 20 vjet pasi ai ose ajo ishte burgosur apo kishte filluar të vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Kjo periudhë ishte më e shkurtë se afati maksimal prej 25 viteve që Gjykata e kishte parë si të pranueshme. Së treti, i burgosuri me burgim të përjetshëm mund të merrte pjesë aktive në procedurat për shqyrtimin e dënimit të tij, ku gjykata duhej të nxirrte aktvendim të arsyetuar, i cili mund të apelohej. Ky shqyrtim përmbante garanci të mjaftueshme procedurale, pasi që një i burgosur me burgim të përjetshëm dhe avokati i tij kishin të drejtë të paraqiteshin në gjykatë për të argumentuar se i burgosuri ishte reformuar.

Së katërti, Gjykata u bazua në kritere që gjykatat duhej të merrnin parasysh kur zvogëlon dënimin me burgim të përjetshëm. Ato përfshihej në veçanti rreziku i recidivizmit, qëllimet e dënimit të përjetshëm dhe efekti i vuajtjes së një pjese të dënimit të përjetshëm tek personi i dënuar dhe niveli i zbatimit të masave korrektuese.

Gjykata konsideroi se këto kritere ishin mjaft objektive për të lejuar vlerësim efektiv nëse personi ishte reformuar që të meritonte zvogëlim të dënimit. Një e metë të cilën Gjykata e kishte vërejtur në regjimin e mëparshëm ishte se të burgosurit me burgim të përjetshëm nuk kishin qenë në gjendje t’i kuptonin arsyet e refuzimit të kërkesave të tyre për falje. Tani, këto rregulla ishin korrigjuar.

Gjykata kështu vlerësoi se procedura e zbutjes së dënimit me burgim të përjetshëm dhe kërkesat e saj, siç ishin miratuat së fundmi nga autoritetet e Letonisë, përbëjnë mjet adekuat dhe të mjaftueshëm për ankesën e kërkuesve. Gjykata konkludoi se çështja që i hapi rrugë ankesës tani mund të konsiderohet si e “zgjidhur” në kuptimin e Nenit 37 § 1 (b). Në fund, asnjë arsye e veçantë në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut nuk e shtynte Gjykatën të vazhdojë shqyrtimin e kërkesës sipas Nenit 37 § 1. Prandaj, kërkesat duhej të hiqeshin nga lista e lëndëve të Gjykatës.