Deklarata e Berlinit

Deklarata e Berlinit u miratua në Bundestagun Gjerman. Gati 300 kuvendarë nga 53 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së dhe katër partnerë bashkëpunues morën pjesë në Seancën XXVII Vjetore, e cila u mbajt në datat 7-11 korrik 2018 në ndërtesën e Raichtagut me temën: “Implementimi i Zotimeve të OSBE-së: Roli i Parlamenteve”.

Deklarata, e cila u miratua pas një procesi amendamentimi i cili u zhvillua gjatë disa takimeve të Komitetit, e konsideron thelbësor “zotimin për parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit të parapara me Kartën e OKB-së dhe Aktin Final të Helsinkit”.

Në këtë Deklaratë, kuvendarët e OSBE-së kërkuan përkushtim më të madh nga qeveritë për sa u takon parimeve të OSBE-së, duke përfshirë regjimin më të rreptë të kontrollit të armatimit, reformën e sistemit të sigurisë, zhvillimin e mirëbesimit dhe të masave të krijimit të sigurisë, si dhe zbatimin e marrëveshjeve me mirëbesim.

Deklarata tutje kërkon nga qeveritë të sigurojnë se të drejtat e njeriut respektohen nga të gjitha shërbimet e sigurisë dhe të inteligjencës, si publike ashtu edhe private, dhe kërkon nga parlamentet të krijojnëorgane për monitorimin e aktiviteteve të këtyre shërbimeve. Parlamentet duhet gjithashtu ta mbështesin procesin e “dialogut të strukturuar” të OSBE-së, thotë Deklarata.

Në rrafshin ekonomik dhe mjedisor, Deklarata thekson rolin unik të parlamenteve për promovimin e reformave për implementimin e zotimeve të OSBE-së, sidomos për sa i takon luftës kundër korrupsionit, rritjes së transparencës dhe luftës kundër krimit të organizuar, shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Të gjitha vendet anëtare të OSBE-së duhet “t’i mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të refugjatëve, sidomos të drejtën e tyre kundër ndalimit arbitrar, dhe të punojnë në mënyrë aktive për integrimin e refugjatëve dhe t’i mbrojnë të drejtat e tyre për bashkim familjar, me konsideratë të posaçme për të miturit pa përcjellje”. Deklarata gjithashtu sjell në mendje zotimin për moskthim të detyrueshëm si parim i ligjit ndërkombëtar, duke theksuar se refugjatët dhe azilkërkuesit nuk duhet të kthehen me forcë në vendet ku mund të ballafaqohen me torturë dhe trajtim jonjerëzor.

Këtu mund ta shkarkoni Deklaratën:

https://drive.google.com/file/d/1Pbq1RdQT6AGU6vmHSfaZ2m5RqW3w0Q_b/view

Referencat nga faqja zyrtare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE)