Deklaratë e Komisioneres së Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut lidhur me sulmin ndaj komunitetit LGBT në Republikën Srpska

Dunja Mijatoviq, Komisionere e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut dënoi dhunën kundër personave LGBT në Republikën Srpska dhe vuri në pah se ka ardhur koha që autoritetet t’i pranojnë personat LGBTI dhe të drejtat e tyre. Një shfaqje filmi e organizuar nga grupet LGBTI ishte planifikuar për të shtunën më 17 mars në qytet. Pak përpara ngjarjes, policia mori vendim për ndalimin e ngjarjes për shkak të kërcënimeve të shtuara nga grupet e dhunshme.

Ajo tutje tha: “Kërcënimi me dhunë kundër pjesëmarrësve në ngjarje nuk është arsye e mjaftueshme për të ndaluar tubimet. Përkundrazi, kjo shtyn detyrimin pozitiv të autoriteteve për të siguruar që pjesëmarrësit të mund të zhvillojnë ngjarjen e tyre dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre për lirinë e tubimit paqësor dhe lirinë e shprehjes pa frikë nga dhuna ose hakmarrja, qoftë nga aktorët shtetërorë apo joshtetërorë.

Shtetet anëtare të Këshillit të Europës kanë detyrimin të zbatojnë të drejtat e njeriut pa diskriminim. Të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës gëzojnë të njëjtat të drejta të njeriut dhe duhet të jenë në gjendje t’i ushtrojnë ato në mënyrë të barabartë. Kjo do të thotë se personat LGBTI, si të gjithë të tjerët, duhet të jenë në gjendje të mblidhen në mënyrë paqësore, të lirë nga dhuna dhe gjuha e urrejtjes.

Pretendimet se policia nuk arriti të ndërhyjë kur pjesëmarrësit u kërcënuan dhe u sulmuan nga grupe të dhunshme duhet të hetohen në mënyrë efektive. Nëse këto pretendime konfirmohen, autoritetet duhet t’u kërkojnë llogari personave përgjegjës. Ata gjithashtu duhet të japin udhëzime të qarta për policinë për të siguruar mbrojtje efektive të personave LGBTI dhe ngjarjeve të tjera në të ardhmen.

“Ata që kundërshtojnë të drejtat LGBTI dështojnë të respektojnë angazhimin e tyre për të drejtat e njeriut në përgjithësi. Veprimet e tyre bien ndesh me vlerat tona të përbashkëta europiane të dinjitetit, përfshirjes, barazisë dhe respektit për shtetin e së drejtës. Është jetike që autoritetet të ndërmarrin veprime të palëkundura për të dënuar gjuhën e urrejtjes dhe jotolerancën dhe për të bërë të qartë se personat LGBTI janë pjesë përbërëse e shoqërisë dhe se të drejtat e tyre duhet të mbrohen”.

Komisionerja deklaroi se ajo po solidarizohet me komunitetin LGBTI në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe të gjithë gazetarët dhe aktivistët e tjerë që luftojnë për të drejtat e tyre. Komisionerja theksoi se do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet.

Deklaratën e plotë të Komisioneres mund ta gjeni këtu: https://www.coe.int/en/web/commissioner/-/high-time-for-the-authorities-to-accept-lgbti-people-and-their-rights-the-perpetrators-of-the-attack-in-banja-luka-must-be-sanctioned-1

Referenca nga faqja e Këshillit të Europës