15 Qer Dënimi i përjetshëm pa mundësi shkurtimi nuk është në pajtim me Konventën për të Drejtat e Njeriut
Në rastin Marcello Viola kundër Italisë (nr. 2) (kërkesa nr. 77633/16, 13.06.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, me shumicë votash, ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me dënimin me burg të përjetshëm pa mundësi shkurtimi.
Kërkuesi, z. Marcello Viola, është shtetas italian i cili aktualisht vuan dënimin në burgun Sulmona (Itali). Ai ishte përfshirë në një numër incidentesh mes dy klaneve kundërshtare të mafias nga vitet 1980 deri në vitin 1996. Në dhjetor të vitit 2008, kërkuesi u dënua me burgim të përjetshëm me izolim ditor për dy vjet e dy muaj.
Kërkuesi pastaj bëri dy kërkesa për lirim nga burgu në dy raste. Kërkesa e tij e parë u refuzua në qershor 2011. Kërkuesi u ankua ndaj këtij vendimi, por gjykata e mbikëqyrjes së dënimit e hodhi poshtë ankesën e kërkuesit, duke thënë nuk mund të konfirmohej se ai i kishte ndërprerë kontaktet me organizatën kriminale dhe se nuk dukej nga vëzhgimet e sjelljeve të tij të përditshme se ai po e analizonte në mënyrë kritike të kaluarën e tij kriminale. Kërkesa e dytë për lirim u refuzua mbi bazën e njëjtë. Në mars të vitit 2015, z. Viola përsëri kërkoi leje nga gjykata mbikëqyrës e dënimit. Në vendimin e datës 26 maj 2015, gjykata gjeti se kërkesa nuk mund të miratohej, meqë leja varej nga bashkëpiunimi me autoritetet gjyqësore dhe nga ndërprerja e përhershme e lidhjeve ndërmjet të dënuarit dhe qarqeve mafioze. Në vendimin e datës 22 marsit 2016, Gjykata e Cassation-it hodhi poshtë ankesën e parashtruar nga kërkuesi.
Duke u mbështetur në Nenin 3 të Konventës (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues), kërkuesi u ankua se dënimi i tij i përjetshëm nuk mund të shkurtohej dhe se kjo nuk i jepte gjasa për lirim nga burgu. Duke u bazuar në Nenin 3 dhe 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare), ai gjithashtu u ankua se regjimi i burgut nuk ishte në harmoni me qëllimin e rehabilitimit të të burgosurve dhe të reintegrimit social.
Gjykata sërish theksoi se dinjiteti njerëzor ishte në thelb të sistemit të Konventës. Ishte e papranueshme që personi të privohet nga liria pa bërë përpjekje drejt rehabilitimit të tyre dhe ofrimit të mundësisë për ta rifituar atë liri dikur në të ardhmen.
Gjykata e mori parasysh se rregullat vendore u jepnin të dënuarve mundësinë me kusht të bashkëpunimit me autoritetet gjyqësore. Por, Gjykata shprehu dyshime sa i përket natyrës së lirë së asaj zgjedhjeje, dhe përshtatshmërisë së bazarimit të mungesës së bashkëpunimit me rrezikun e të burgosurit për shoqërinë. Sipas një pale të tretë që ndërhyri në këtë rast, arsyeja kryesore përse të burgosurit refuzonin të bashkëpunonin ishte frika nga rrezikimi i jetës së tyre apo të familjeve të tyre. Gjykata nga kjo konstatoi se mungesa e bashkëpiunimit nuk ishte gjithmonë rezultat i zgjedhjes së lirë e të qëllimshme, apo se domosdoshmërisht pasqyronte lidhjet me vlerat kriminale apo me organizatat mafioze. Gjykata konsideroi se mungesa e bashkëpunimit me autoritetet gjyqësore i hapte rrugë supozimit të pakundërshtueshëm të rrezikshmërisë, që ia mohonte z. Viola ndonjë gjasë reale të lirimit.
Andaj, Gjykata konsideronte se dënimi me burgim të përjetshëm i shqiptuar ndaj z. Viola sipas seksionit 3 të Aktit të Administratës së Burgut (ergastolo ostativo) ia kufizonte gjasat për lirim dhe mundësitë për rishqyrtimin e dënimit. Kështu, dënimi i tij nuk mund të shihet si i shkurtueshëm për qëllimet e Nenit 3 të Konventës.
Megjithatë, shtetet kontraktuese gëzojnë një marzh të gjerë vlerësimi kur vendosin për kohëzgjatjen e duhur të dënimit me burgim, dhe fakti se dënimi me burgim të përjetshëm mund të vuhej plotësisht nuk do të thotë se nuk mund të shkurtohet. Andaj, mundësia për shqyrtimin e dënimit me burgim të përjetshëm parasheh mundësinë që i dënuari të aplikojë për lirim por jo domosdoshmërisht të lirohet nëse ai/ajo përbënte rrezik për shoqërinë
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut