10 Shk Dënimi penal për shkeljen e rendit publik për shkak të të shprehurit të një opinioni politik – nuk ishte në përputhje me Konventën
Në rastin Karuyev kundër Rusisë (kërkesa nr. 4161/13, 18.01.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me dënimin e kërkuesit për shkak se kishte pështyrë në një portret të presidentit rus Putin në vitin 2012, pas rizgjedhjes së tij. Ai ishte shpallur fajtor për shkelje të rendit publik dhe u dënua me 15 ditë burg.
Qeveria argumentoi, nga njëra anë, se pështyrja e portretit të Presidentit të Rusisë kishte qenë formë e sjelljes së pamoralshme dhe se dënimi i kërkuesit kishte qenë i nevojshëm për parandalimin e trazirave.
Gjykata konsideroi, nga ana tjetër, se akti i pështyrjes mbi portretin e një politikani në kohën e rizgjedhjes së tij ishte shprehje e opinionit politik. Në këtë kontekst, dënimi i kërkuesit me 1 ditë burgim përbëri ndërhyrje në lirinë e tij të shprehjes.
Për më tepër, Gjykata nuk ishte e kënaqur që ishin marrë elementet e një shkeljeje sipas Nenit 20.1 § 1, të dispozitës sipas së cilës kërkuesi ishte ndjekur penalisht. Elementi kryesor, “shkelja e rendit publik që shfaq mungesë flagrante respekti për shoqërinë”, duhej të shoqërohej me dëshminë e përdorimit të gjuhës së ndyrë, ngacmimit ose shkatërrimit ose dëmtimit të pronës. Megjithatë, autoritetet vendore nuk kishin dhënë prova se ky veprim kishte shkaktuar trazirë publike ose zemërim të kalimtarëve. Duke u bazuar në faktet, veprimi në të cilin kishte marrë pjesë kërkuesi në thelb ishte paqësor. Ç’është e vërteta, policët e pranishëm në performancë nuk kishin parë ndonjë arsye për të intervenuar dhe kërkuesi ishte arrestuar katër orë më vonë.
Andaj, ndjekja e kërkuesit nuk kishte pasur bazë të qartë dhe të parashikueshme në legjislacionin vendor dhe
dënimi i tij nuk kishte qenë “i paraparë me ligj” brenda kuptimit të Konventës Europiane. Andaj, kishte pasur shkelje të Nenit 10.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut