Dështimi i njohjes zyrtare të martesave mes gjinisë së njëjtë çoi në shkeljen e Konventës

Në rastin Fedotova dhe të tjerët kundër Rusisë (kërkesa nr. 40792/10, 30538/14 dhe 43439/14) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut gjeti njëzëri se kishte pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me refuzimin për të regjistruar njoftimin për martesë të kërkuesve, të cilët janë çifte të së njëjtës gjini. 

Gjykata përsëriti se Neni 8 nuk u impononte shprehimisht shteteve detyrimin për të njohur zyrtarisht martesat mes gjinisë së njëjtë. Sidoqoftë, kjo nënkuptonte një nevojë për të arritur ekuilibër të drejtë midis interesave konkurruese të çifteve të së njëjtës gjini dhe komunitetit në tërësi. Ekzistonte gjithashtu detyrimi pozitiv për të krijuar një kornizë ligjore që garanton gëzimin efektiv të të drejtave të parashikuara në Nenin 8. Gjykata vuri në dukje veçanërisht ndikimin mbi individin kur ekziston një mospërputhje midis ligjit dhe realitetit shoqëror, si në rastin konkret. 

Për sa i përket çifteve të së njëjtës gjini, Gjykata ripohoi se ata ishin po aq të aftë sa çiftet me gjini të ndryshme për të hyrë në marrëdhënie të përkushtuara, me një nevojë për njohje zyrtare dhe mbrojtje të marrëdhënieve të tyre. Ishte detyrë e Shteteve ta merrnin parasysh këtë dhe të vendosnin një ekuilibër midis nevojave të tyre dhe atyre të komunitetit në përgjithësi. Gjykata vendosi se nuk kishte asnjë justifikim që kërkuesit të mos ishin në gjendje t’i vendosnin martesat e tyre në baza ligjore. Në veçanti, në lidhje me argumentin se shumica e rusëve nuk i pranojnë martesat e së njëjtës gjini, Gjykata deklaroi se qasja në të drejtat e pakicës nuk mund të varet nga pranimi i shumicës. Për më tepër, Gjykata përsëriti se sigurimi i qasjes së kërkuesve në njohjen zyrtare të statusit të çifteve të tyre në një formë tjetër përveç martesës nuk do të ishte në kundërshtim me “kuptimin tradicional të martesës” që mbizotëron në Rusi, ose me pikëpamjet e shumicës së cilave u ishte referuar Qeveria, pasi ato pikëpamje kundërshtonin vetëm martesat e gjinisë së njëjtë, dhe nuk ishin kundër formave të tjera të njohjes ligjore. Ajo arriti në përfundimin se, duke mohuar qasjen në njohjen zyrtare të statusit të tyre për çiftet e së njëjtës gjini, autoritetet ruse kishin shkuar përtej diskrecionit (kufirin e vlerësimit) që gëzonin ata. Si rrjedhojë, Gjykata vendosi se Rusia nuk kishte përmbushur detyrimet e veta sipas Nenit 8, duke çuar në shkelje të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut