Dështimi për të hetuar siç duhet ngacmimin seksual në vendin e punës

Në rastin C. kundër Rumanisë (kërkesa nr. 47358/20, 30.08.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për të respektuar jetën private) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me akuzat e ngacmimit seksual në vendin e punës pas një ankimi penal të paraqitur nga kërkuesja, pastruese në një stacion hekurudhor, kundër administratorit të stacionit hekurudhor dhe dështimit të dyshuar të shtetit për të zgjidhur çështjen.

Gjykata vuri në dukje se ndërmarrja hekurudhore ishte në pronësi të shtetit dhe kësisoji përfaqësonte autoritet publik. Megjithatë, dukej se ishte bërë pak nga ndërmarrja hekurudhore në përgjigje të akuzave për ngacmim seksual nga një punëtor i saj. Përkundër ekzistimit të një politike të brendshme që ndalonte çdo sjellje që shkelte dinjitetin e një personi dhe nxiste raportimin e një sjelljeje të tillë te menaxhmenti, kreu i sigurisë së pasagjerëve nuk kishte pranuar të shikonte rastin e C-së dhe e kishte këshilluar të shkonte në polici nëse e shihte të nevojshme.

Megjithatë, Gjykata vuri në dukje se fokusi kryesor i ankesës së C-së ishte përgjigjja e dhënë nga prokurorët dhe gjykatat ndaj ankesave të saj për ngacmim seksual. Prandaj, Gjykata shqyrtoi nëse, në procedurat penale në lidhje me akuzat, Shteti kishte mbrojtur mjaftueshëm të drejtën e C-së për respektimin e jetës së saj private, sidomos integritetin e saj personal. Gjykata vërejti se C. kishte paraqitur ankesë penale kundër C.P. për ngacmim seksual, se hetimi kishte filluar menjëherë dhe se edhe zyra e prokurorit edhe gjykata e qarkut kishin pranuar se C.P. ishte sjellë në mënyrën e pretenduar nga C. por konsideroi se kjo nuk përbënte vepër penale të ngacmimit seksual. Vendimet e miratuara në këtë rast gjetën ose se C.P. nuk kishin qenë penalisht përgjegjës për shkeljen e dyshuar penale apo se C. nuk ishte ndjerë e poshtëruar nga sjellja e tij –  element i kërkuar nga ligji vendor me qëllim që një sjellje e tillë të klasifikohej si ngacmim seksual.

Megjithatë, asgjë në vendimet vendore nuk tregoi se si autoritetet kishin arritur në këtë përfundim. Për shembull, nuk ishte ndërmarrë asnjë vlerësim i marrëdhënies së pushtetit dhe varësisë mes C-së dhe C.P-së, apo të kërcënimeve të pretenduara kundër saj. Për më tepër, ata nuk kishin shqyrtuar nëse veprimet e C.P-së kishin pasur ndonjë pasojë të mundshme psikologjike mbi C-në ose nëse ekzistonte ndonjë arsye që C-ja të bënte akuza të rreme ndaj C.P-së, siç ishte aluduar nga disa prej deklarimeve të dëshmitarëve.

Gjithashtu, Gjykata vuri në dukje me shqetësim se vendimi i zyrës së prokurorit përmbante një rrëfim të përsëritur të insinuatave të bëra nga C.P-ja në deklaratat e tij në lidhje me jetën private të C-së dhe motivet e pretenduara për veprimet dhe akuzat e saj – që në sytë e Gjykatës përbën viktimizim sekondar – ndërsa, ato mund të kenë qenë jo më shumë se një mjegullim i qëllimshëm.


Kësisoji, pa shprehur mendimin nëse C.P-ja ishte fajtor për ngacmim seksual, Gjykata gjeti se hetimi i çështjes kishte përmbajtur të meta të konsiderueshme që përbënin shkelje të detyrës së Shtetit sipas Nenit 8 të Konventës.


Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut