07 Mar Diskriminimi mbi bazën e përdorimit të ijekavicës në procedurën gjyqësore
Në rastin Paun Jovanović kundër Serbisë (kërkesa nr. 41394/15, 07.02.2023) Gjykata gjeti shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 12. (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kërkesa kishte të bënte me përdorimin zyrtar të dy varianteve standarde të gjuhës serbe, ekavicës dhe ijekavicës, në procedurat gjyqësore. Në veçanti, kërkuesi, avokat dhe folës i variantit të dytë, u ankua se ishte diskriminuar dhe i ishte mohuar mundësia për ta folur nga një gjykatës hetues ndërsa vepronte në emër të klientit të tij, një i pandehur, në rrjedhën e procedimeve penale. Në të njëjtën kohë, avokati që përfaqësonte viktimën në të njëjtin procedim u lejua të përdorte ekavicën pa asnjë pengesë. Gjuha standarde serbe është gjuha kryesore në përdorim zyrtar në Serbi. Kjo gjuhë ka dy variante të barabarta: ekavicën dhe ijekavicën. Serbishtja e folur jashtë Serbisë, në territorin e ish-Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë duke përfshirë Malin e Zi, është kryesisht ijekavicë, ndërsa në Serbi, duke përfshirë qytetin Bor, i cili është vendi ku u zhvillua procedimi penal në fjalë, mbizotëron varianti i ekavicës i cili përdoret nga popullsia në përgjithësi dhe nga autoritetet gjyqësore e të tjera të Shtetit respondent.
Gjykata gjeti se kërkuesi ishte trajtuar ndryshe nga avokati folës të ekavicës, i cili kishte vepruar në emër të viktimës. Ky dallim mbështetej në diferencimin që parashihej në Nenin 1 të Protokollit Nr. 12, përkatësisht përdorimi i ijekavicës si një nga dy variantet e gjuhës serbe në përdorim të barabartë zyrtar në vend. Është gjithashtu e qartë, në këtë kontekst, se “gjuha” është përmendur në mënyrë specifike si bazë dallimi në Nenin 1 të Protokollit nr. 12, si variant i njohur zyrtar.
Meqë Qeveria nuk e ka pranuar se kërkuesi kishte qenë viktimë e ndonjë trajtimi tjetër, ata gjithashtu nuk ofruan asnjë shpjegim se përse një trajtim i tillë do të kishte qenë legjitim, i arsyeshëm ose proporcional. Prandaj, ata nuk e kanë hequr barrën e provës e cila u është ngarkuar. Gjykata megjithatë përsërit se është qartësisht legjitime që një Palë Shtetërore në Konventë të rregullojë çështjet që përfshijnë përdorimin zyrtar të një gjuhe ose gjuhëve në procedimet gjyqësore dhe se e njëjta gjë duhet të zbatohet, mutatis mutandis, në variante të ndryshme të së njëjtës gjuhë, si në rastin e tanishëm. Kjo, megjithatë, duhet të dallohet nga “e drejta” për të përdorur një gjuhë jozyrtare të zgjedhjes së dikujt në komunikimin me autoritetet publike, e cila e drejtë, si e tillë, nuk është njohur kurrë nga Gjykata në praktikën e saj gjyqësore.
Gjykata, tutje, vë në dukje se Matica srpska, si autoriteti më i vjetër gjuhësor në Serbi, dhe vetë Qeveria kanë pranuar se gjuha serbe “ka dy variante të barabarta”, që është ekavicë dhe ijekavicë, dhe se të dyja mund të përdoren zyrtarisht.
Në këto rrethana dhe duke qenë se tashmë kishte vendosur se kërkuesi ishte trajtuar ndryshe nga avokati tjetër në një situatë analoge ose të ngjashme, duke u bazuar në përdorimin e ijekavicës, Gjykata është e mendimit se nuk mund të kishte pasur justifikim objektiv dhe të arsyeshëm për një trajtim të tillë.
Në fund, kufiri i vlerësimit mund të kishte qenë vetëm me rëndësi lidhur me zgjedhjet e mundshme të politikës gjuhësore, përsa i përket mënyrës së rregullimit ligjor të përdorimit të një gjuhe zyrtare në procedimet gjyqësore, por jo në një situatë ku, si në rastin e tanishëm, pati dështim nga ana e një gjyqtari për të zbatuar interpretimin e padiskutueshëm të legjislacionit tashmë ekzistues mbi këtë çështje. Andaj, ka pasur shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 12.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut