E drejta e fëmijës për jetë private u shkel për shkak të mungesës së ofrimit të mënyrave alternative të njohjes së fëmijëve të lindur nga çiftet e së nëjtës gjini përmes surrogacisë

Në rastin D.B. dhe të tjerëve kundër Zvicrës (kërkesat nr. 58817/15 dhe 58252/15, 22.11.2022), Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut gjeti, 

  • me gjashtë vota pro dhe një kundër, se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare të fëmijës së lindur përmes surrogacisë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe
  • njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës familjare të prindit të synuar dhe prindit gjenetik). 

Rasti kishte të bënte me një çift të së njëjtës gjini që ishin partnerë të regjistruar dhe kishin lidhur një kontratë të surrogacisë në Shtetet e Bashkuara sipas së cilës kishte lindur kërkuesi i tretë. Kërkuesit u ankuan në veçanti se autoritetet zvicrane kishin refuzuar të njihnin marrëdhënien prind-fëmijë të vendosur nga një gjykatë amerikane mes babait të synuar (kërkuesi i parë) dhe fëmijës së lindur përmes surrogacisë (kërkuesi i tretë). Autoritetet zvicerne kishin njohur marrëdhënien prind-fëmijë mes babait gjenetik (kërkuesi i dytë) dhe fëmijës.

Gjykata deklaroi se karakteristika kryesore që e dallonte rastin nga ato për të cilat kishte vendosur më parë ishte se dy kërkuesit e parë ishin çift i së njëjtës gjini në një partneritet të regjistruar.

Sa i përket kërkuesit të tretë, Gjykata vuri në dukje se në kohën e lindjes së tij, ligjet vendore nuk u kishin dhënë kërkuesve asnjë mundësi njohjeje të marrëdhënies prind-fëmijë mes prindit të synuar (kërkuesit të parë) dhe fëmijës.

Adoptimi ishte i mundur vetëm për çiftet e martuara, me përjashtim të atyre në partneritete të regjistruara. Deri më 1 janar 2018 nuk ishte mundur të adoptohej fëmija i një partneri të regjistruar. Kështu, për gati shtatë vjet dhe tetë muaj, kërkuesit nuk patën mundësi të siguronin njohjen përfundimtare të marrëdhënies prind-fëmijë.

Kështu, Gjykata vendosi se vendimi i autoriteteve zvicrane për të refuzuar njohjen e certifikatës së huaj të lindjes të lëshuar në mënyrë të ligjshme për aq sa kishte të bënte me marrëdhënien prind-fëmijë mes babait të synuar (kërkuesi i parë) dhe fëmijës së lindur përmes surrogacisë në Shtetet e Bashkuara, pa parashikuar mjete alternative për njohjen e asaj marrëdhënieje, nuk kishte qenë në interesin më të mirë të fëmijës.

Me fjalë të tjera, pamundësia e përgjithshme dhe absolute, për një periudhë të konsiderueshme kohore, e pranimit të njohjes së marrëdhënies mes fëmijës dhe kërkuesit të parë, përbënte ndërhyrje joproporcionale në të drejtën e kërkuesit të tretë për respektimin e jetës private sipas Nenit 8.
Kësisoji, Zvicra e kishte tejkaluar kufirin e saj të vlerësimit duke mos bërë parashikime legjislative me kohë për një mundësi të tillë.

Sa i përket kërkuesit të parë dhe të dytë, Gjykata së pari vuri në dukje se marrëveshja e surrogacisë që ata kishin përdorur për të krijuar familje kishte qenë në kundërshtim me politikat publike zvicrane. Tutje, Gjykata deklaroi se vështirësitë praktike që ata mund të hasin në jetën e tyre familjare, në mungesë të njohjes së marrëdhënieve mes kërkuesit të parë dhe të tretë sipas legjislacionit zvicran ishin brenda kufijve të pajtueshmërisë me Nenin 8 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut