30 Dhj E drejta ligjore për ricaktimin e gjinisë nuk është e zbatueshme në praktikë
Në rastin A.D. dhe të tjerëve kundër Gjeorgjisë (kërkesa nr. 57864/17, 01.12.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi, njëzëri, se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkuesit janë burra transgjinorë (femra në lindje). Rasti kishte të bënte me ankesat e tyre se nuk kishin qenë në gjendje të merrnin njohjen ligjore të gjinisë së tyre sepse nuk i ishin nënshtruar operacionit për ricaktimin e gjinisë.
Sipas Nenit 8 të Konventës, praktika gjyqësore e Gjykatës për njohjen ligjore të gjinisë kishte gjetur tashmë se shtetet anëtare pritej të siguronin procedura të shpejta, transparente dhe të qasshme për ndryshimin e gjinisë së regjistruar të personave transgjinorë.
Gjykata vërejti se përveç që legjislacioni në Gjeorgji parashihte të drejtën për të ndryshuar gjininë në regjistrin e gjendjes civile, ai gjithashtu u interpretua si pjesë e së drejtës kushtetuese për zhvillimin e lirë të personalitetit sipas Nenit 12 të Kushtetutës. Megjithatë, përkundër faktit se një e drejtë e tillë ekzistonte në Gjeorgji që nga viti 1998, me sa duket nuk kishte pasur asnjë rast të vetëm të njohjes së suksesshme ligjore të gjinisë.
Gjykata e pranoi se njohja gjinore ligjore duhej të rregullohej në mënyrë që të mbrohej parimi i gjendjes civile, qëndrueshmëria dhe besueshmëria e të dhënave të gjendjes civile dhe, tutje, nevoja për siguri ligjore.
Por, ndërsa e drejta për të ndryshuar gjininë në gjendjen civile ekzistonte në Gjeorgji, ligji nuk tregonte qartë kushtet dhe afatet që duhen përmbushur për njohjen ligjore të gjinisë. Qeveria gjithashtu kishte lënë pa adresuar pyetjen specifike të Gjykatës në lidhje me procedurat e sakta mjekësore të kërkuara për qëllime të njohjes ligjore të gjinisë.
Prandaj Gjykata konstatoi se ligji dhe praktika vendore nuk jepnin asnjë shenjë për natyrën e saktë të procedurave mjekësore që duheshin ndjekur.
Gjykata gjithashtu vërejti se Qeveria deklaroi se shprehja “ndryshimi i gjinisë” në Ligjin e Gjendjes Civile duhej të vlerësohej mbi “kriteret biologjike, fiziologjike dhe/ose anatomike”. Megjithatë, kujdesi dhe saktësia më e madhe kërkohej kur nocione të tilla përdoreshin për njëri-tjetrin, sepse secili prej këtyre nocioneve kishte kuptimin e vet të veçantë dhe përfshinte implikime të dallueshme ligjore.
Për shembull, nëse “ndryshimi i gjinisë” do të përcaktohej në bazë të kritereve biologjike, atëherë nuk do të ishte kurrë e mundur të arrihej njohja ligjore e gjinisë, pasi kromozomet nuk mund të ndryshohen me asnjë masë të ndërhyrjes mjekësore.
Gjykata konstatoi se mospërputhjet në leximin e ligjit vendor nga gjykatat vendore ishin kushtëzuar, të paktën pjesërisht, nga fakti se ligji vetë nuk ishte i detajuar dhe i saktë sa duhet.
Pasaktësia e legjislacionit aktual dëmtoi qasjen në njohjen ligjore të gjinisë në praktikë dhe mungesa e një kuadri të qartë ligjor i la autoriteteve vendase kompetenca të tepërta diskrecionale, gjë që mund të çojë në vendime arbitrare.
Gjykata arriti në përfundimin se ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut