06 Kor E drejta për t’u harruar dhe liria e medias
Në rastin M.L. dhe W.W. kundër Gjermanisë (kërkesa nr. 60798/10 dhe 65599/10, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka patur shkelje të Nenit 8 (e drejta për të respektuar jetën private) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me refuzimin e Gjykatës Federale të Drejtësisë për të nxjerrë një vendim gjyqësor i cili do t’u ndalonte tre mediave të ndryshme t’u lejonin përdoruesve të internetit akses në informacione dhe emrat e kërkuesve të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një aktori të famshëm.
Kërkuesit u ankuan se ishte shkelur e drejta e tyre sa i përket jetës private (Neni 8 i Konventës) përpara Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata, në vendimin e vet u pajtua me gjetjet e Gjykatës Federale, e cila kishte ritheksuar se mediat kanë për detyrë të marrin pjesë në formësimin e mendimit demokratik, duke vënë në dispozicion të publikut lajmet e vjetra të cilat janë ruajtur në arkivat e tyre. Gjykata vlerësoi se të drejtat e personit i cili ka qenë subjekt i një publikimi në internet duhen balancuar me të drejtën e publikut për t’u informuar lidhur me ngjarjet në të kaluarën, sidomos duke shfrytëzuar arkivat digjitalë të mediave të shkruara. Sa i përket faktit se sa të njohur ishin kërkuesit, Gjykata gjithashtu vlerësoi se kërkuesit nuk ishin thjesht individë privatë të cilët nuk ishin të njohur për publikun.
Gjykata ritheksoi se mbulimi i një teme të caktuar ishte çështje e lirisë së mediave dhe se Neni 10 i Konventës u lë gazetarëve të vendosin cilat detaje duhen publikuar, duke qenë se këto vendime përputhen me rregullat etike të këtij profesioni.
Gjykata theksoi se përfshirja e informacioneve të individualizuara në raport, siç ishte emri i plotë i personit në fjalë, ishte aspekt i rëndësishëm i punës së mediave, sidomos kur raportohej për procedura penale të cilat kishin tërhequr vëmendje të madhe e cila kishte nuk ishte zbehur me kalimin e kohës. Gjykata gjeti se me rastin e kërkesës së tyre të fundit për t’i rihapur procedurat më 2004, vetë kërkuesit i kishin kontaktuar mediat, duke u përcjellë një numër dokumentesh e duke kërkuar nga gazetarët ta mbanin të informuar opinionin publik. Ky qëndrim i dha një perspektivë tjetër shpresës së tyre për të siguruar anonimitet në raporte, apo të drejtës për t’u harruar online.
Si përfundim, duke u nisur nga margjina e vlerësimit që u lihet autoriteteve vendore kur peshojnë interesa të ndryshëm, rëndësia e ruajtjes së aksesit në raportet e mediave të cilat konsiderohen të ligjshme, dhe sjellja e kërkuesve kundrejt mediave, Gjykata vlerësoi se Gjykata Federale nuk kishte dështuar t’i përmbushte detyrimet pozitive të shtetit gjerman për t’i mbrojtur të drejtat e kërkuesve për ta respektuar jetën e tyre private, dhe gjeti se nuk kishte pasur shkelje të Nenit 8.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut