18 Tet Është shkelur liria e shprehjes së gazetarit të cilit iu ndalua të intervistonte azilkërkuesit në Hungari
Në rastin Szurovecz kundër Hungarisë (kërkesa nr. 15428/16, 08.10.2019.) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me qasjen e mediave në ambientet e pritjes së azilkërkuesve. Kërkuesi në këtë rast, gazetar i një portali lajmesh në internet, u ankua për shkak të refuzimit të kërkesës së tij për të kryer intervista dhe për të bërë fotografi në Qendrën e Pritjes së Debrecen, duke e penguar kështu që të raportonte për kushtet e jetesës atje. Z. Szurovecz kërkoi shqyrtim gjyqësor, por pa sukses. Gjykata administrative e shpalli të papranueshme kërkesën e tij sepse refuzimi nuk ishte një vendim administrativ sipas ligjit përkatës vendor dhe prandaj nuk i nënshtrohej shqyrtimit gjyqësor.
Gjykata theksoi se puna kërkimore ishte pjesë thelbësore e lirisë së shtypit dhe duhej të mbrohej.
Ndërhyrja kishte qenë e ligjshme, pasi bazohej në seksionin 2 të Dekretit Nr. 52/2007 (XII.11) të Ministrisë së Drejtësisë, dhe qëllimi i saj, mbrojtja e jetës private të azilkërkuesve, ishte e ligjshme. Por, Gjykata konstatoi se arsyet e dhëna për një kufizim të tillë të lirisë së shprehjes së kërkuesit, megjithëse ishin relevante, nuk ishin të mjaftueshme.
Së pari, sa i përket nevojës për të mbrojtur jetën private të azilkërkuesve, autoritetet e imigrimit nuk kishin marrë asnjë vërejtje në argumentin e kërkuesit se ai vetëm do të bënte fotografi me pëlqim paraprak dhe, nëse ishte nevoja, me pëlqim me shkrim. Gjykata gjithashtu vuri në dukje se raportimi për kushtet e jetesës në qendër, megjithëse prekte domosdoshmërisht jetën private të azilkërkuesve, nuk kishte pasur qëllim të sensibilizonte, por të raportonte për një çështje me interes publik.
Së dyti, as autoritetet vendore as qeveria nuk kishin treguar se si siguria e azilkërkuesve mund të rrezikohej në praktikë, veçanërisht nëse hulumtimi bëhej vetëm me pëlqimin e tyre.
Së treti, Gjykata nuk ishte dakord me Qeverinë që kërkuesi mund të kishte bërë lehtësisht fotografi dhe të zhvillonte intervista jashtë Qendrës së Pritjes. Këto alternativa nuk mund të zëvendësonin në asnjë mënyrë diskutimet ballë për ballë dhe përshtypjet e dorës së parë për kushtet e jetesës.
Në fund, gjykatat nuk kishin arritur të kryejnë ushtrim balancues të interesave të ndryshme të përfshira, duke pasur parasysh që vendimi për të refuzuar hyrjen nuk ishte temë e shqyrtimit gjyqësor.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut