23 Jan Fushata e shpifjes përmes postimit të një videoje eksplicite kundër një gazetareje ka sjellë shkelje të Konventës
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur dy shkelje të Nenit 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, shtëpisë dhe korrespondencës) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Khadija Ismayilova kundër Azerbejxhanit (kërkesa nr. 65286/13, 10/01/2019).
Rasti kishte të bënte me një fushatë shpifjeje ndaj një gazetareje të mirënjohur, Khadija Rovshan qizi Ismayilova. Konkretisht, ajo mori një letër ku kërcënohej me poshtërim publik nëse nuk hiqte dorë nga raportimi i saj hulumtues. Kur ajo refuzoi, një “video seksi” e xhiruar pa njohurinë e saj, ku shihej ajo me të dashurin e saj, u postua në internet.
Autoritetet ndjekëse filluan procedurat penale për letrën kërcënuese dhe filmimin e fshehtë. Kërkuesja u ankua ndaj mungesës së efektshmërisë së hetimit dhe si përgjigje ndaj ankesave publike të znj. Ismayilova autoritetet ndjekëse publikuan një raport të statusit duke vënë në dukje se kishin marrë në pyetje një numër dëshmitarësh, duke përfshirë edhe të dashurin, shokët, kolegët dhe anëtarët e familjes së saj.
Kërkuesja dorëzoi ankesën duke u bazuar në Nenin 8 duke pretenduar se shteti ishte përgjegjës i drejtpërdrejtë për ndërhyrjet shumë serioze në jetën e saj private ose përgjegjës i tërthortë pasi në asnjë rast nuk kishte respektuar detyrimin e tij për të marrë masa për të mbrojtur të drejtën e saj të privatësisë dhe se raporti i statusit në fjalë kishte zbuluar shumë informacione sensitive personale të mbledhura gjatë vazhdimit të hetimit. Duke u bazuar në Nenin 10 (liria e shprehjes), ajo argumentoi se shteti ose ishte i përfshirë drejtpërsëdrejti ose kishte dështuar të ndërmerrte hapa për të parandaluar fushatën sistematike të shpifjeve kundër saj.
Gjykata gjeti se veprimet kishin qenë fyerje ndaj dinjitetit njerëzor të znj. Ismayilova, të cilat Shteti kishte pasur detyrë të hetonte. Por, ka patur mangësi dhe vonesa të dukshme në hetim, edhe pse kishte pista të dukshme. Më e rëndësishmja është se asnjë hetim nuk ishte zhvilluar për të parë nëse kishte lidhje midis Ismajilovës si gazetare e mirënjohur hulumtuese e shumë kritike ndaj Qeverisë dhe veprave penale kundër saj.
Kjo situatë mbështetej nga artikujt e botuar në gazetat pro-qeveritare dhe nga publikimi i një raporti mbi statusin e hetimit i cili pa asnjë arsye të dukshme përfshinte informacione mbi jetën private të Ismayilovas. Gjykata u kushtoi vëmendje të veçantë raporteve të gazetarëve në Azerbejxhan që po përndiqeshin, si dhe klimës së perceptuar të mosndëshkimit për akte të tilla.
Zonja Ismayilova ka një kërkesë tjetër (nr. 30778/15) në Gjykatën Evropiane lidhur me arrestimin dhe paraburgimin e saj në vitin 2014 për keqpërdorim të madh dhe evazion fiskal si dhe shpërdorim të pozitës gjatë punës në Radio Azadliq.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut