15 Tet Gjoba për një intervistë që përmend përdorimin e marihuanës shkel Konventën
Në rastin Ringier Axel Springer Slovakia, a.s. kundër Sllovakisë (nr. 4) kërkesa nr. 26826/16, 23.09.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkuesi, Ringier Axel Springer Slovakia, a.s. është kompani sllovake e themeluar në vitin 1990 dhe është e regjistruar në Bratislavë. Rasti kishte të bënte me programin televiziv të kërkuesit, në të cilin një këngëtar i njohur thuhet se shprehu mbështetje për legalizimin e marihuanës dhe pretendohet se gazetari ishte dakord me të. Procedurat administrative u inicuan kundër kompanisë kërkuese si rezultat i këtij programi, me një gjobë në vitin 2012 për shkeljen e ndalimit të promovimit të përdorimit të drogës. Vendimi i dytë kundër kompanisë kërkuese u lëshua nga Këshilli i Transmetimit në vitin 2014.
Kompania kërkuese argumentoi se ajo thjesht kishte paraqitur opinionet e X. për të informuar publikun rreth një teme të interesit publik.
Gjykata pranoi se kishte pasur ndërhyrje në lirinë e shprehjes së kërkuesit dhe kështu vendosi të përcaktojë nëse ndërhyrja kishte qenë e nevojshme në një shoqëri demokratike. Gjykata theksoi, në veçanti, faktin se deklaratat nuk ishin bërë nga vetë kompania, por nga një artist në një intervistë.
Për shkak të rëndësisë së saj për demokracinë, Gjykata përsëriti se gazetaria i nënshtrohet mbrojtjes së Nenit 10 brenda kufijve. Ndëshkimi i gazetarit për shpërndarjen e pikëpamjeve të një tjetri nuk duhet të ndodhë pa arsye shumë të mira.
Gjykata vuri në dukje se programi në fjalë kishte qenë mbi një ngjarje aktuale dhe kishte kontribuar në një debat me interes publik. Gjykata nuk besonte se gazetari kishte ndërmend të lavdëronte marihuanën ose të nxiste përdorimin e saj. Gjykata deklaroi se interpretimi i gjykatave vendore lidhur me këtë komunikim ishte veçanërisht të ashpra, me mungesë të vlerësimit të nevojshëm të të gjithë faktorëve përkatës. Nuk ishte dëshmuar se kompania kërkuese kishte vepruar me keqbesim ose në mënyrë të papërgjegjshme.
Si përfundim, Gjykata konstatoi se gjoba kishte qenë joproporcionale dhe nuk ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike, duke çuar në shkelje të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut