Interesi më i mirë i fëmijës është më i rëndësishëm se përcaktimi i atësisë

Fröhlich kundër Gjermanisë (parashtresa nr. 16112/15, 26.07.2018). Parashtruesi, Arnulf Fröhlich, është shtetas gjerman i lindur më 1966 dhe jeton në Köthel (Gjermani). Rasti kishte të bënte me besimin e z.Fröhlich se ai ishte baba biologjik i një foshnjeje të gjinisë femërore të lindur më 2006.

Në vitin 2004 z. Fröhlich filloi një marrëdhënie me një grua të martuar, e cila vazhdonte të jetonte me bashkëshortin e saj dhe me gjashtë fëmijët e tyre. Marrëdhënia mbaroi pasi ajo lindi një vajzë në tetor të vitit 2006.

Të gjitha përpjekjet e z. Fröhlich për të pasur kontakt me vajzën u refuzuan. Çifti i martuar mohonte se ai ishte babai biologjik dhe refuzonte të jepte pëlqimin për të bërë testin e atësisë. Z. Fröhlich gjithashtu inicoi një sërë procedurash përpara gjykatave për të përcaktuar atësinë ligjore, për të bërë testin e atësisë dhe për të fituar të drejta të kontaktit dhe informacionit, por pa sukses. Në veçanti, duke e bazuar vendimin e vet në një deklaratë të shkruar të kujdestarit të fëmijës të caktuar për të vepruar në emër të saj si dhe në deklaratat verbale të z. Fröhlich, të prindërve ligjorë të fëmijës dhe të vetë fëmijës, Gjykata a Apelit më 2013 përfundimisht vendosi të mos i jepte as të drejtat e kontaktit as ato të informacionit. Gjykata konstatoi se të dyja këto do të kërkonin adresimin e çështjes preliminare nëse z. Fröhlich ishte baba biologjik i vajzës e që nuk do të ishte në interesin e saj më të mirë.

Për të marrë këtë vendim, Gjykata e Apelit analizoi situatën e familjes, e cila konsideronte se do të ishte në rrezik nëse prindërit ligjorë do të detyroheshin t’i qartësonin çështjet e atësisë. Gjykata gjithashtu shtoi se kontakti me parashtruesin nuk do të ishte në interesin më të mirë të fëmijës.

Më 2014, Gjykata Kushtetuese Federale refozoi ta shqyrtonte ankesën e tij kushtetuese. Duke u bazuar në Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane, z. Fröhlich u ankua ndaj vendimeve të gjykatave vendore që refuzuan t’i jepnin të drejtat e kontaktit dhe t’i urdhëronin prindërit ligjorë që t’i jepnin atij informacione për fëmijën.

Gjykata konsideron se vendimi i Gjykatës së Apelit ishte nxjerrë në interesin më të mirë të fëmijës dhe është e kënaqur me arsyet relevante dhe të mjaftueshme për të arsyetuar refuzimin për t’i dhënë të drejtat e kontaktit dhe po ashtu për t’i urdhëruar prindërit e fëmijës që parashtruesit t’i jepnin informacione për fëmijën. Andaj, në këtë rast nuk kishte pasur shkelje të Nenit 8.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.