Juridiksioni i gjykatave ushtarake për krime të kryera nga civilët nuk është në pajtim me Nenin 6 të Konventës

Në rastin Mustafa kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 1230/17, 28.11.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

  1. Mustafa, civil që nuk kishte asnjë lidhje me ushtrinë, u gjykua dhe u dënua nga gjykatat ushtarake për një shkelje të zakonshme sepse një nga të pandehurit e tjerë në këtë rast po shërbente në ushtri në kohën kur ishte kryer vepra. Z. Mustafa pretendonte se ato gjykata nuk ishin as të pavarura as të paanshme. 

Gjykata konstatoi në veçanti se dyshimet e z. Mustafa për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave ushtarake mund të vlerësoheshin si të justifikuara objektivisht. 

Së pari, faktorët si gjykatësit ushtarakë që i nënshtrohen disiplinës ushtarake, përfshirja zyrtare e tyre në ushtri dhe statusi i porotës së gjykatës ushtarake, të cilët sipas përcaktimit ishin oficerë të ushtrisë, tregonin se gjykatat ushtarake sipas legjislacionit bullgar nuk mund të vlerësohen si ekuivalent me gjykatat e zakonshme. Për më tepër, sipas legjislacionit bullgar, çështjet në lidhje me grupet kriminale ranë, në parim, në juridiksionin e Gjykatës së Specializuar Penale. Por, në rastin në fjalë, e vetmja arsye pse çështja u shqyrtua nga gjykatat ushtarake ishte se njëri prej të akuzuarve kishte shërbyer në forcat e armatosura, sepse neni 411a i Kodit të Procedurës Penale parashikonte që juridiksioni i gjykatave ushtarake ishte mbi juridiksionin e Gjykatës së Specializuar Penale.

Së dyti, legjislacioni bullgar parashikonte që gjykatat ushtarake të kenë juridiksion ekskluziv mbi veprat penale të kryera bashkërisht nga personeli ushtarak dhe civilët, madje edhe jashtë kontekstit të veprimtarive ushtarake. Ndarja abstrakte e disa kategorive të veprave penale në gjykatat ushtarake nuk ishte e mjaftueshme; ishte e nevojshme të tregohej ekzistimi i “arsyeve bindëse” për secilin rast. 

Gjykata konstatoi në veçanti se dyshimet e z. Mustafa për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave ushtarake mund të vlerësoheshin si të justifikuara objektivisht. Andaj, kishte pasur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut