Kërkesa nga të burgosurit për të dëshmuar besimin e tyre me shkrim nuk është në përputhje me Konventën

Në rastin Neagu kundër Rumanisë (kërkesa nr. 21969/15, 10.11.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, me shumicë votash, ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 9 (liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me një të burgosur që ishte konvertuar në Islam ndërsa ishte në paraburgim. Ai u ankua se autoritetet rumune kishin refuzuar t’i ofronin shujta pa mish derri, në përputhje me rregullat e fesë së tij, pa siguruar prova se ai ishte besimtar i asaj feje. 

Gjykata vuri në dukje se kjo kërkesë që ishte pjesë e Urdhrit nr. 1072/2013 kishte të bënte vetëm me të burgosurit që u konvertuan gjatë ndalimit të tyre, pasi në të gjitha rastet e tjera të burgosurit mund të deklaronin përkatësinë e tyre fetare thjesht me anë të një deklarate solemne. Për më tepër, urdhri në fjalë bënte dallimin midis deklaratës fillestare të fesë, të cilën i burgosuri mund ta bënte lirshëm dhe pa formalitete të veçanta kur ai ose ajo u fut në burg, dhe ndryshimit të fesë gjatë ndalimit, të cilin i burgosuri duhej të dëshmonte me anë të një dokumenti të lëshuar nga përfaqësues të besimit të tij të ri. 

Sipas këndvështrimit të Gjykatës, një rregullore e tillë, që përfshin një kërkesë të rreptë për të siguruar prova dokumentare të përkatësisë së një besimi specifik, tejkalonte nivelin e substanciaritetit të besimit të vërtetë që mund të kërkohej. Kjo vlente veçanarisht në një situatë ku të burgosurit fillimisht ishin të lirë të deklaronin fenë e tyre pa dhënë ndonjë provë.

Për më tepër, duke shqyrtuar ankesën e z. Neagu në lidhje me burgun Brăila, si gjyqtari që shqyrtoi paraburgimin ashtu edhe gjykata e shkallës së parë kishin hedhur poshtë ankesën e kërkuesit pa shqyrtuar historikun faktik të kërkesës së tij, me arsyetimin se ai nuk kishte ofruar provën me shkrim të kërkuar sipas rregulloreve. Po kështu, ata nuk kishin konstatuar nëse z. Neagu do të kishte mundësi të mirëfilltë për të siguruar prova me shkrim ose ndonjë konfirmim tjetër se ai ishte pasues i besimit në fjalë, veçanërisht duke pasur parasysh kufizimet ndaj të cilave ai ishte nënshtruar si i burgosur.

Prandaj, Gjykata konsideroi se, duke pasur parasysh dispozitat e paraqitura me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë që kërkojnë, ndër të tjera, prova me shkrim të ndryshimit të fesë që ndodhi gjatë ndalimit, autoritetet vendore kishin prishur ekuilibrin që duhej gjetur midis interesave të burgut, atyre të të burgosurve të tjerë dhe interesave individualë të të burgosurit në fjalë. Në atë drejtim, Gjykata nuk u bind se kërkesat e z. Neagu për t’u ushqyer në përputhje me fenë e tij do të kishin shkaktuar probleme në menaxhimin e burgut ose do të kishin ndikim negativ në ushqimet e ofruara për të burgosurit e tjerë. Andaj, kishte pasur një shkelje të Nenit 9 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut