13 Kor Kërkesa për kompensim
Në rastin Kamenova kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 62784/09, 12/07/2018) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se nuk ka pasur shkelje të Nenit 6, pjesa 1 (e drejta për gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Parashtruesja e ankesës është shtetase e Bullgarisë e cila u ankua për mungesën e vendimit të gjykatës lidhur me kërkesën e saj për kompensim për shkak të vdekjes së vajzës së saj. Vajza e ankueses kishte vdekur në një aksident rrugor në vitin 1997. Një shofer kamioni u akuzua dhe u dënua në 1999, por vendimi u pezullua dhe një hetim i ri nisi në vitin 2000. Shoferi u dënua pas një serie procedurash në vitin 2002. Znj. Kamenova kishte bërë kërkesa për kompensim ndaj shoferit dhe punëdhënësit të tij në vitin 2001, gjatë serisë së dytë të procedurave penale. Gjykatat u kishin mbuluar dëmet familjarëve të të vdekurve në aksident në vitin 2004, por dëmshpërblimi për znj. Kamenova u pezullua në vitin 2006 për shkak se e kishte kaluar afatin kohor, meqë gjykata gjeti se ajo ishte dashur ta parashtronte ankesën gjatë serisë së parë të procedurave penale kundër shoferit. Gjykata gjithashtu e hodhi poshtë padinë civile të znj. Kamenova, të cilën e kishte bërë në 2007, duke qenë se ekzistonte një afat kohor prej 5 vitesh për një padi të atij lloji.
Duke u bazuar në Nenin 6, pjesa 1 (e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, znj. Kamenova ishte ankuar se gjykatat kombëtare asnjëherë nuk kishin vendosur lidhur me kërkesën e saj për kompensim.
Gjykata gjeti se ankuesja nuk kishte arritur të parashtronte kërkesën për dëmshpërblim kundër H.H. dhe punëdhënësit të tij në kontekstin e procedurave penale në vitin 1998, kur Gjykata Rajonale kishte nisur ta ekzaminonte rastin për herë të parë. Ajo nuk kishte dhënë shpjegim për këtë dështim, dhe nuk kishte përmendur specifikisht asnjë pengesë ndaj të drejtës së saj për akses në gjykatë në atë kohë.
Gjykata gjithashtu gjeti se mënyra se si gjykatat kombëtare e kishin trajtuar këtë rast është gjithashtu e hapur për kritika. Në veçanti, në vitin 2001 Gjykata Rajonale kishte pranuar ta ekzaminonte kërkesën e ankueses në procedurat penale, e cila më vonë nga gjykatat më të larta u konsiderua të jetë gabim. Në momentin kur kërkesa u pranua për ekzaminim në procedura penale, ankueses sipas Kodit të Procedurës Civile i ishte ndaluar ta bënte kërkesën përpara gjykatave civile. Sikur Gjykata Rajonale të kishte refuzuar ta pranonte kërkesën për ekzaminim, apo sikur të ishte deklaruar e papranueshme në një datë më të hershme, apo sikur gjykatat penale ta kishin dërguar kërkesën tek gjykata civile sipas procedurave të Kodit të Procedurës Civile, ankuesja do të kishte qenë në gjendje ta sillte kërkesën përpara gjykatave civile në kohë të duhur dhe ajo kërkesë do të kishte marrë shqyrtimin e merituar.
Sidoqoftë, çfarëdo gabimi nga ana e gjykatave kombëtare nuk mund ta ndryshojë përfundimin se ankuesja ka dështuar, pa ndonjë arsyetim, t’i shfrytëzojë mundësitë e qarta dhe të pakontestueshme që kërkesa e saj të shqyrtohet dhe që për të të merret vendim me kohë. Prandaj, Gjykata arriti në përfundim se nuk ka patur shkelje të Nenit 6, pjesa 1, të Konventës.
Referencat nga uebfaqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut