Kufizimi i të drejtave të votës ndaj pakicave kombëtare

Në rastin Bakirdzi dhe E.C. kundër Hungarisë (kërkesat nr. 49636/14 dhe 65678/14, 10.11.2022) në lidhje me të drejtat e votës së kërkuesve, të regjistruar si votues të pakicës kombëtare për zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 në Hungari, Gjykata gjeti shkelje të Nenit 3 të Protokollit Nr. 1 në lidhje me Nenin 14 të Konventës.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut gjeti se sistemi që ishte vendosur për të siguruar përfaqësimin politik të pakicave kombëtare në Hungari në fund kishte kufizuar efikasitetin e tyre politik,
dhe kishte rrezik të zvogëlonte, në vend se të rriste diversitetin dhe pjesëmarrjen e pakicave në vendimmarrjen politike. Kandidatëve nga pakicat kombëtare u duhej të arrinin numrin e kërkuar të votave vetëm nga votat e votuesve të pakicave kombëtare që i përkisnin të njëjtit grup pakice si ata vetë, gjë që i vuri në një situatë shumë të ndryshme nga kandidatët e tjerë që mund të merrnin vota nga elektorati i përgjithshëm. Po kështu, anëtarë të tjerë të elektoratit ishin të lirë të lidheshin me çdo kandidat tjetër me të njëjtin mendim për avancimin e besimeve politike, ndërsa kandidatët dhe votuesit nga pakicat kombëtare ishin të kufizuar brenda komunitetit të tyre kombëtar. Ky disavantazh në procesin zgjedhor nuk bazohej në zgjedhjen e vetë kandidatëve ose votuesve nga pakicat kombëtare për t’u asociuar me një grup të vogël të interesit politik të popullsisë, por ishte rrjedhojë e një vendim qeveritar.

Gjykata dyshoi se një sistem në të cilin mund të votohej vetëm për një listë specifike të mbyllur të kandidatëve (pra, pa mundësinë e shprehjes së preferencës për (a) kandidat(e) të veçantë, dhe që u kërkonte votuesve të hiqnin dorë nga përkatësia e tyre partiake për të pasur përfaqësim si anëtar i një pakice), garantonte “shprehjen e lirë të mendimit të njerëzve në zgjedhjen e legjislaturës”.

Gjykata vlerësoi se kur ishte vendosur të ngrihej një sistem që synonte të eliminonte ose të zvogëlonte rastet e pabarazisë në përfaqësimin politik, ishte e natyrshme që ajo masë do të duhej të ndihmonte për t’u mundësuar pakicave kombëtare të marrin pjesë në zgjedhjen e legjislaturës në mënyrë të barabartë. me të tjerët, e jo të nxisë përjashtimin e përfaqësuesve të pakicave nga vendimmarrja politike në nivel nacional. Në këtë rast, sistemi që ishte vendosur kufizonte efikasitetin e tyre politik si grup dhe rrezikonte të zvogëlonte, në vend se të rriste diversitetin dhe pjesëmarrjen e pakicave në vendimmarrjen politike.

Gjykata vendosi, njëzëri, se kombinimi i kufizimeve të së drejtës së votës së kërkuesve përbënte shkelje të Nenit 3 të Protokollit Nr.1 të Konventës (e drejta për zgjedhje të lira), në lidhje me Nenin 14 (ndalimi i diskriminimit) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut