22 Maj Masë urgjente në rastin e e tri qytetarëve boshnjakë të përkatësisë rome
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur të zbatojë masë urgjente në rastin P.H. dhe Të Tjerët kundër Italisë (kërkesa nr. 25838/19) në lidhje me tre shtetas boshnjakë me përkatësi etnike rome të cilët u dëbuan me fëmijët e tyre të mitur nga një vendbanim në Ponte Riccio në prill të këtij viti.
Kërkuesit janë tre qytetarë boshnjakë të përkatësisë etnike rome të cilët po jetonin me familjet e tyre në një vendbanim në Ponte Riccio (Giugliano). Dy prej tyre janë nëna me gjithsej 10 fëmijë, të cilët janë të moshës 2 deri 16 vjeç.
Më 5 prill 2019, Kryebashkiaku i Giuglianos nxori Dekretin nr. 29, duke urdhëruar që banuesit e këtij vendbanimi të largoheshin për arsye të shëndetit dhe sigurisë publike. Ai urdhër u zbatua më 10 maj. Kërkuesit tani jetojnë me familjet e tyre në një kamp të improvizuar në një zonë industriale jashtë Giuglianos.
Më 16 maj 2019, kërkuesit i bënë një kërkesë Gjykatës sipas Rregullit 39 të Rregullave të Gjykatës për një masë të përkohshme për të kërkuar nga Shteti t’u sigurojë akomodim të duhur dhe për ta ndalur dëbimin e mëtejmë. Gjykata e shtyu shqyrtimin e kërkesës deri më 17 maj 2019, pasi kishte kërkuar nga palët të siguronin informacionet. Meqë nuk ishte e qartë nga përgjigjja e Qeverisë ndaj pyetjeve të Gjykatës nëse kërkesve u ishte gjetur akomodimi, Gjykata vendosi të zbatonte masën e përkohshme duke i treguar qeverisë italiane se duhet të sigurojë akomodim të përkohshëm për të miturit dhe për prindërit e tyre, pa i ndarë ata.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut