23 Tet Mbikëqyrja me video e punëtorëve nuk e ka shkelur të drejtën e privatësisë
Në rastin López Ribalda and dhe të Tjerët kundër Spanjës (kërkesat nr. 1874/13 dhe 8567/13) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, me 14 vota pro dhe 3 kundër, ka gjetur se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private) dhe njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1(e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me mbikëqyrjen e fshehtë të punëtorëve që çoi në largimin e tyre nga puna. Në vitin 2009 kërkuesit punonin si arkëtarë ose asistentë të shitjeve për zinxhirin e supermarketeve M. Pasi u panë parregullsi në mes të stoqeve të dyqanit dhe shitjeve dhe u konstatua humbje gjatë pesë muajve, menaxheri i supermarketit instaloi edhe kamera CCTV të dukshme dhe të fshehura në qershor të atij viti. Menjëherë pasi instaloi kamerat ia tregoi një përfaqësues i sindikatës videoxhirimin e kërkuesve dhe stafit tjetër që merrnin pjesë në vjedhjen e mallrave në dyqan. Katërmbëdhjetë punëtorë, përfshirë kërkuesit, u pushuan nga puna për arsye disiplinore. Letrat e largimit nga puna thanë se videot i kishin kapur kërkuesit duke u ndihmuar klientëve dhe bashkëpuntorëve të tjerë për të vjedhur sende dhe duke i vjedhur ata vetë.
Gjykata konstatoi në veçanti se gjykatat spanjolle kishin balancuar me kujdes të drejtat e kërkuesve – punëtorë të supermarketeve të dyshuar për vjedhje – dhe atyre të punëdhënësit, dhe kishte kryer ekzaminim të plotë të arsyetimit për mbikëqyrjen me video.
Argumenti kryesor i dhënë nga kërkuesit ishte se atyre nuk u ishte dhënë njoftimi paraprak për mbikëqyrjen, me gjithë obligimin e tillë ligjor, por Gjykata konstatoi se kishte pasur arsyetim të qartë për një masë të tillë për shkak të një dyshimi të arsyeshëm për keqbërje serioze dhe humbjet, duke marrë parasysh shtrirjen dhe pasojat e masës. Për më tepër, kërkuesit kishin pasur mjete të tjera juridike në dispozicion, siç është ankesa pranë Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave ose një veprim në gjykatë për shkelje të pretenduar të të drejtave të tyre sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, megjithatë, ata nuk i kishin përdorur ato. Kështu, gjykatat vendore nuk e kishin tejkaluar fuqinë e tyre të diskrecionit (“marzhi i vlerësimit”) kur e kanë konsideruar monitorimin proporcional dhe të ligjshëm dhe nuk kishte pasur shkelje të Nenit 8.
Lidhur me pretendimin e kërkuesve për përdorimin e videoxhirimeve si provë, Gjykata konsideroi në mënyrë të veçantë se kërkuesit kishin qenë në gjendje të kundërshtonin përdorimin e videoxhirimeve dhe se gjykatat kishin dhënë arsyetim të gjerë në vendimet e tyre. Materiali i videos nuk ishte dëshmia e vetme në dosjen e çështjes, kërkuesit nuk e kishin vënë në dyshim vërtetësinë ose saktësinë e tij dhe Gjykata konsideroi se kjo ishte provë e bazuar e cila nuk kishte nevojë për vërtetim të mëtejshëm. Gjykatat kishin marrë në konsideratë edhe prova të tjera, siç është dëshmia e palëve. Gjykata vendosi kështu që përdorimi i videomaterialit si provë nuk e kishte dëmtuar drejtësinë e gjykimit.
Referencat nga faqja zyrtare e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut